Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve, një “lugat” për ta frikësuar Rusinë

Në Moskë atë e quajnë eksperti i ndryshimit të regjimeve, një “sabotues diplomatik” i dërguar nga Washingtoni për të krijuar kaos në shtetet fqinje të Rusisë.

Bota

08/07/2014 19:45

Personi që flitet se është caktuar të menaxhojë lidhjet e Washingtonit me Moskën është John Tefft.

Pritet që presidenti Barack Obama të nominojë Tefftin ambasador në Moskë, ndërsa mediat ruse raportojnë se Moska e ka aprovuar këtë emërim, raporton Radio Evropa e Lirë.

Nëse këto raportime janë të sakta, dhe Senati amerikan e konfirmon Tefftin, diplomati veteran do të niset drejt Moskës në kohën kur marrëdhëniet mes të SHBA-ve dhe Rusisë janë në pikën e saj më të ulët, prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Dhe, ajo që është më kryesorja është se shumë pak diplomatë të karrierës nxisin debate më shumë sesa specialisti 64 vjeçar në botë pas rënies së ish-BRSS-së.

Dyshimet ruse ndaj Tefftit kanë të bëjnë me shërbimet e tij si shef i diplomacisë amerikane dhe bashkëpunëtor i qeverive properëndimore në Ukrainë dhe Gjeorgji, që erdhën në pushtet pas revolucioneve të ngjyrosura. Për këto revolucione, Kremlini e ka akuzuar Washingtonin si orkestrues. 

Moska e akuzon Perëndimin se i kanë dhënë përkrahje ushtarake ish-presidentit gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, gjatë konfliktit me Moskën për dy territoret separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.

Një vit para këtij konfilkti, Teffti e kishte akuzuar Rusinë se po i ndihmon në mënyrë direkte separatistët e Gjeorgjisë, diçka që është zbuluar pas rrjedhjes së kabllogramëve të Departamentit amerikan të Shtetit nga Wikileaks.

Pasi e përfundoi mandatin në Tbilisi, në vitin 2009, Tefft ishte caktuar nga Obama si i deleguar amerikan në Ukrainë. Ndonëse mandati i tij në këtë shtet përfundoi para se të nisnin protestat e nëntorit të vitit të kaluar, që e larguan nga pushteti presidentin ukrainas Viktor Janukoviq, njerëzit e Kremlinit e akuzonin atë si person që bëri gati terrenin për ato protesta.

“Në Ukrainë, roli i tij në organizimin e ngjarjeve aktuale në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvlerësohet”, thoshte Verikonia Krasheninnikova, pjesëtare e Odës Publike të Rusisë, për Tefftin, gjatë një interviste për një radio shtetërore ruse në muajin prill.

“Këto vite janë të njohura, natyrisht për sulmet e Sakashvillit në Osetinë Jugore dhe Abkhazi dhe lufta tetëditore e Gjeorgjisë me Rusinë. Në Ukrainë, natyrisht, kujtoj se roli i tij në organizimin e ngjarjeve aktuale nuk mund të nënçmohet”, thoshte Krasheninikova.

Tefft ndërkohë i ka hedhur poshtë akuzat se ka nxitur zhvillimet për të cilat akuzohet.

“Unë nuk jam anti-rus”,  i ka thënë Tefft gazetës ukrainase “Segodnya”, në vitin 2009.

“Unë thjesht besoj që secili në këtë pjesë të botës duhet të mësojë të punojë dhe të kalojë mirë me të tjerët, me respektim të dyanshëm të sovranitetit dhe pavarësisë”, thoshte më tej Tefft.

Kush është John Tefft?

John Tefft i është bashkuar shërbimit diplomatik amerikan në vitin 1972, në kohën e  Luftës së Ftohtë. Në vitin 1980, ai filloi të punojë për Deskun Sovjetik të Departamentit amerikan të Shtetit, ndërsa ka shërbyer edhe në delegacionin amerikan në negociatat për kontrollin e armëve në vitin 1985.

Kolegët e tij thonë se karriera e pasur e Tefftit në lidhje me çështjet ruse dhe sovjetike, përfshirë edhe periudhën si i dërguar i posaçëm i SHBA-ve në Ambasadën amerikane në Moskë, e bëjnë atë kandidatin ideal për pozitën e ambasadorit amerikan në Moskë, duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet aktuale në mes të SHBA-ve dhe Rusisë.

Me prejardhje nga Wisconsin dhe me një hobi interesant të mbledhjes së kapelave, Tefft njihet për sjellje shumë të mira ndërsa flet një anglishte me aksent të pjesës së mesme të SHBA-ve.

Kjo është vërejtur qartë gjatë një interviste lamtumirëse që ai e dha në një emision në Gjeorgji, në vitin 2009, kur ndër të tjera e këndoi këngën “What e Wonderfull World”, të legjendës së muzikës jazz, Loius Armstrong.

Mirëpo ai gjithmonë e ka pasur aftësinë që të paraqitet si diplomat i fuqishëm kur kjo ka qenë e nevojshme.

Ndihmës/ asistenti i Sekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Melia, vitin e kaluar e kishte vlerësuar Tefftin si person, i cili, kur ka të bëjë me zyrtarë të huaj, i zë ata në befasi me sjellje të fuqishme.

Edhe kur Tefft është “duke iu transmetuar atyre mesazhe të forta dhe aspak mikpritëse, homologët e tij gjithmonë janë të gëzuar kur e takojnë personalisht dhe gjithmonë në fund e ftojnë sërish”, kishte thënë Melia, derisa ia dorëzonte John Tefftit një çmim për të drejtat e njeriut.

Mikhail Pogrebinsky, analist politik në Kiev, duke folur për Tefftin, i kishte thënë revistës ruse “Profil”, se Teffti kishte mundësi që ta “hante një kundërshtar pa iu zënë fryma fare”.

Kur emri i John Tefftit filloi të përmendej si ambasador i mundshëm i ri i SHBA-ve në Moskë, kjo u interpretua nga disa analistë rusë dhe amerikanë si sinjal që administrata e Obamës ka për qëllim të vazhdojë minimizimin e bashkëpunimit me Moskën, si shkak i krizës në Ukrainë.

Ky është një vlerësim me të cilën ish zyrtarë të kësaj administrate nuk pajtohen.

David Kramer, ish koleg i Tefftit në Departamentin e Shtetit, thotë se ai ka dëgjuar për emërimin e mundshëm të John Tefftit në verën e vitit të kaluar, kur marrëdhëniet SHBA- Rusi nuk ishin kaq të këqija sa janë sot.

(Radio Evropa e Lirë)