Ambasadori gjerman në Serbi: Pajtimi rajonal është çështje jetike për Ballkanin Perëndimor

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë se Ballkani Perëndimor tashmë është një zonë paqësore dhe pajtimi rajonal është çështje jetike.

Lajme

08/11/2018 17:20

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë sot se procesi i pajtimit dhe bashkëpunimi rajonal është çështje jetike për Ballkanin Perëndimor, transmeton lajmi.net.

“Tani duhet të përmirësojmë ekonominë rajonale, por pajtimi është i nevojshëm”, tha ambasadori Schieb.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor tashmë është një zonë paqësore dhe e qëndrueshme përkundër konflikteve që kishte në vitet e ’90-të, por siç theksoi Thomas Schieb, paqja dhe stabiliteti janë akoma të brishta dhe se për këtë arsye duhet të punohet në pajtimin ndërmjet shteteve, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë një vendim strategjik për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në këtë mënyrë sipas ambasadorit Thomas Schieb, Evropa duhet të tregoj se është gati t’i pranojë këto vende.

“Këto janë të gjitha elementet e nevojshme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon. Çështja kryesore është perspektiva evropiane dhe kjo është konfirmuar së fundmi edhe në Samitin e Sofjes në muajin maj. Tani Evropa duhet të tregojë se është e gatshme që t’i pranojë këto vende sepse ky ka qenë premtimi ynë”, deklaroi ambasadori Thomas Schieb.

Ai u shpreh i bindur se perspektiva evropiane ka kontribuuar në përmirësimin e proceseve demokratike dhe shpreson që kjo do të përmirësohet edhe më shumë.

Ndërkaq sa i përket NATO-s, ambasadori gjerman tha se, NATO-ja është shtylla e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Këto komente ambasadori Thomas Schieb i bëri në javën e 6-të të NATO-s në Beograd të organizuar nga CEAS. /Lajmi.net/