Ambasadori francez në Serbi tha se shteti i tij e sheh të njëanshëm aplikimin e Kosovës në KE

Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, është deklaruar rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ku ka thënë se ky aplikim është “veprim i njëanshëm” për këtë arsye edhe Franca nuk mbështet.

Lajme

13/05/2022 16:51

Ai tutje ka thënë se, ata i mbështesin përpjekjet e Miroslav Lajçak, edhe ftesën e kancelarit gjerman Olaf Scholz për liderët e Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe aplikim e Kosovës për në Këshill të Evropës, sepse Franca e konsideron dialogun prioritet.

“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temat prioritare janë: Asociacioni i komunave serbe, energjia dhe çështjet e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, ka thënë ambasadori i Francës në Serbi në një intervistë për TV Nova S.

Tutje, ai ka shtuar se Franca bashkë me partnerët evropian, në veçanti me Gjermaninë, do të bëjë gjithçka që dialogu të vazhdojë sepse kjo është urgjente.

“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme dhe kjo është ajo që është urgjente. Pra, ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar, e cila nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, është shprehur Cochard.

Kujtojmë se dje, Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, e ku gjasat e Kosovës për tu anëtarësuar shihen si shumë reale. /Lajmi.net/