Ambasadori britanik: Po dhe po, Kosova duhet t’iu besojë aleatëve dhe ta themelojë Asociacionin

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka ritheksuar edhe një herë përkushtimin e shtetit të tij për të ndihmuar gjatë vitit 2025 në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Diplomati britanik thekson nevojën për veprime të guximshme nga liderët e të dyja shteteve për…

Lajme

01/01/2025 22:56

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka ritheksuar edhe një herë përkushtimin e shtetit të tij për të ndihmuar gjatë vitit 2025 në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Diplomati britanik thekson nevojën për veprime të guximshme nga liderët e të dyja shteteve për t’i dhënë epilog çështjeve të pazgjidhura.

Hargreaves ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është qendror për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe se përbën çelësin për të zhbllokuar edhe detyrimet e vetë Serbisë.

Ai ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kosova duhet t’u besojë aleatëve të saj kur ata kërkojnë themelimin e Asociacionit dhe ka theksuar se për progresin e Kosovës drejt organizatave ndërkombëtare ku dëshiron të anëtarësohet, nuk ka zëvendësim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Shkurt, po dhe po. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është qendror për marrëveshjen e Kosovës me Serbinë dhe çelësi për zhbllokimin edhe të detyrimeve të vetë Serbisë. Dhe është zgjidhja që plotëson më mirë kriterin për të siguruar që të drejtat dhe nevojat e pakicës serbe të Kosovës të mbrohen dhe të ruhen brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Sigurisht, çdo AKS do të duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të shmangë krijimin e një shtrese të re qeverisjeje ose pushteti ekzekutiv të ndarë. Por, për përparimin e Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare që dëshiron të anëtarësohet dhe për t’i dhënë komunitetit të saj jo-shumicë serb një zë të përshtatshëm në mënyrën se si drejtohen punët e tyre, nuk ka zëvendësim për AKS-në. Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht që Kosova ta testojë draftin aktual në Gjykatën e saj Kushtetuese”, tha ai për Express.

Lidhur me veprimet në veri të ndërmarra kohët e fundit nga Kosova, ambasadori britanik ka deklaruar se shteti i tij njeh të drejtën e Kosovës për t’u mbrojtur nga sulmet dhe për të pasur pritshmëri që të gjithë njerëzit që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës t’u përmbahen ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.

Megjithatë, Hargreaves ka rikujtuar gjithashtu se është thellësisht në interesin e Kosovës që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur. Ai ka potencuar se veprimet e befasishme të Kosovës në veri, si ai për përdorimin e dinarit, nuk kanë ndihmuar gjithmonë në sigurimin e serbëve se mirëqenia e tyre në do të jetë e mbrojtur në Kosovën e re moderne.