Ambasadori amerikan shpreh ngushëllime për vdekjen e Arzana Krajës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisores Arzana Kraja.

Lajme

14/11/2019 10:57

Kosnett përmes profilit të tij zyrtar në Twitter, ka shkruar se një talente e madhe na la shumë herët.

“Një talente e madhe na la shumë herët. I pikëlluar pas ndarjes nga jeta të Arzana Krajës. Në emër timin dhe të bashkëshortes dhe të komunitetit të ambasadës së ShBA-së shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, shokët dhe komunitetin artistik në Kosovës”, ka shkruar Kosnett.

Regjisorja Arzana Kraja është gjetur e vdekur mëngjesin e djeshëm në banesën e saj në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Arzana e cila ishte vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka dhënë kontribut në fushën e kinematografisë.

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit regjisores Arzana Kraja, që ndërroi jetë dje.

Motra e të ndjerës, Gresa Kraja, ka bërë të ditur se varrimi i regjisores do të bëhet në orën 14:00, në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.

“Me pikëllim dhe zemër të thyer ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të vajzës dhe motrës sonë të dashur Arzana Kraja. Varrimi i saj bëhet të enjten te varrezat e Dragodanit në Prishtinë në orën 14:00. Dyert e familjes do të jenë të hapura në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im”, ka shkruar Kraja në Facebook.