Ambasadori amerikan akuzon Kinën për Covid-19: Fajtore për pandeminë

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën për keq menaxhim të infeksionit koronavirus në fazën fillestare.

Bota

18/09/2020 16:26

Ambasadori amerikan në largim, Terry Branstad, tha se ajo që mund të kontrollohej në Wuhan, përfundoi duke u shndërruar në një pandemi globale.

Duke folur ekskluzivisht për CNN, zyrtari në largim mbështeti tezën e presidentit Donald Trump, për fajësimin e Pekinit dhe shtoi se sistemi komunist bëri që të mbulohej ajo që po ndodhte duke penalizuar doktorët që ndërgjegjësonin për rrezikshmërinë e virusit.

“Fillimisht presidenti Trump i besoi kinezëve në atë çfarë thoshin lidhur me virusin. Më pas, ai dhe pjesa tjetër e botës zbuluan se nuk ishte e vërtetë, por ishte keqinformim dhe manipulim të asaj që po ndodhte. Si rezultat, ne u përballëm me një pandemi globale. Kjo ka ardhur si shkak i sistemit komunist në Kinë dhe krenarisë së tyre për të pranuar gabimin. Kjo e shkaktoi pandeminë dhe është një tragjedi”, u shpreh Terry Branstad, ambasador i SHBA në Kinë.

Branstad surprizoi me njoftimin e javës së kaluar për t’u dorëhequr nga posti i rëndësishëm diplomatik, të cilin e ka mbajt që prej vitit 2017. Largimi i tij vjen, ndërsa tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të shtohen në disa fusha. Konkretisht kundërshtitë më të mëdha janë për pandeminë koronavirus, tregtinë, Hong Kongun dhe detin e kinës jugore. /A2CNN