Ambasadorëve shkuan e u thanë…

Të gjithë Ambasadorët e Kosovës janë mbledhur në një konferencë në Prishtinë. Presidentja Jahjaga kërkoi nga ta që ta avancojnë shtetin. E Kryeministri Thaçi u tha atyre se boshti kryesor i politikës së jashtme është anëtësimi në BE.

Lajme

27/12/2013 11:47

Krerët e shtetit të Kosovës kanë kërkuar sot nga Ambasadorët e vendit nëpër botë që të angazhohen më shumë në avancimin e shtetit dhe forcimin e imazhit të tij në vendet dhe rajonet ku janë akredituar.

Në konferencën e përvitshme me Ambasadorët e Kosovës nëpër botë, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, folën për përpjekjet e Kosovës për njohjen e pavarësisë dhe integrimeve europiane.

Presidentja e Kosovës, në fjalimin e saj, theksoi se 5 vjet me parë Kosova ishte para sfidave të mëdha, por sot ajo tha se është duke u përmbushur ëndrra e shumë gjeneratave për shtetësinë e Kosovës, që, sipas saj, është e pakthyeshme.

“Pesë vjet më parë kur Republika e Kosovës hapi Ambasadat e para, kishim përpara shumë sfida”.

Foto: Petrit Rrahmani (lajmi.net)

 

“Na duhej të investonim edhe më tutje në forcimin e marrëdhënieve tona me partnerët strategjikë, SHBA dhe BE”.

“Tani kur po mbushim gjashtë vjet të realizimit të ëndrrës së gjeneratave të tëra, shtetësia jonë është e pakthyeshme dhe e palëkundshme”.

“U desh shumë mund dhe përpjekje për ta zhbërë një imazh negativ që ishte krijuar për Kosovën në shumë qendra botërore”.

“Kjo konferencë është e domosdoshme, sepse prioritetet dhe resurset globale kanë ndryshuar, prandaj duhet të ndryshojë edhe aftësia jonë për t’u adaptuar”.

Jahjaga tha se duhet një vrull më i madh që Kosova si shtet i vogël të vazhdojë procesin e integrimeve europiane dhe po ashtu që Kosova të bëhet faktor stabiliteti.

“Tash kur kemi cementuar pavarësinë e sovranitetin, na duhet një forcë e re, një elan i ri, për ta bërë të pakthyeshëm procesin e integrimit europian”.

“Duhet të krijojmë aleanca dhe mundësi të reja, sidomos në rrafshin ekonomik”.

“Sot nuk është e rëndësishme nëse je shtet i madh apo i vogël. E rëndësishme është si mund të bëhesh faktor stabiliteti”.

Presidentja Jahjaga falënderoi Ambasadorët për punën e tyre, e po ashtu kërkoi nga ata që të ketë vetëm një qëllim – avancimin e shtetit të Kosovës.

“Si Presidente e Republikës së Kosovës dua t’ju  falenderoj për punën dhe përkushtimin në përfaqësimin e shtetit të Kosovës”.

“E di se si çdo fillim, nuk ka qenë e lehtë”.

“Kërkoj nga ju t’i rrini lojalë misionit që keni marrë për të ndërtuar një shërbim diplomatik profesional, që në zemër dhe mendje ka vetëm një qëllim: avancimin e shtetit tonë. Dhe në këtë rrugë do ta keni gjithmonë mbështetjen e Presidentes së Kosovës”.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se për një kohë të shkurtër Kosova ka arritur që të krijojë shërbime diplomatike serioze.

Ai theksoi se boshti i politikës së jashtme të Kosovës është anëtarësimi në BE.

Foto: Petrit Rrahmani (lajmi.net)

 

“Brenda një kohe të shkurtër, së bashku ia kemi dalë ta ndërtojmë një shërbim diplomatik profesional e dinjitoz”.

“Politizimi po minimizohet, ndërsa etika profesionale po shtohet”.

“Duke pasur parasysh faktin se integrimi në BE është boshti ynë kryesor i përpjekjeve, ne do të bëjmë përpjekje të sigurojmë njohje nga 5 shtetet e BE’së”.

Thaçi tha se do të bëhen përpjekje që Kosova të anëtarësohet në organizata të rëndësishme.

Ai, po ashtu, u shpreh se fatkeqësisht populli i Kosovës është popull padrejtësisht i izoluar për shkak të regjimit të vizave.

“Kjo konferencë ka për synim koordinimin e stafit diplomatik me misionin që ka Qeveria në politikën e jashtme”.

“Do t’i shtojmë përpjekjet për ta anëtarësuar Kosovën në organizatat si OBT dhe KON”.

“Sfida jonë kryesore është izolimi i shtetasve të Kosovës për shkak të regjimit të vizave. Është një izolim i padrejtë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të përpiqet në të ardhmen të sigurojë më shumë kohezion të brendshëm për politikën e jashtme, por edhe opozita duhet të tregohet më e përgjegjshme në këtë çështje”.

Kryeministri Thaçi deklaroi më tutje se me përmirësimin  e imazhit të Kosovës, do të bëhet e mundur tërheqja e shumë investitorëve.

Ai beson në potencialin që ka Kosova.

“Me një imazh më të mirë, konsolidohet pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe tërhiqen më shumë investitorë”.

“Sinqerisht besoj se vendi ynë ka potencial të ecë shumë më shpejt se kaq”.

Ndërsa Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, theksoi se shërbimi diplomatik i Kosovës ka pasur qasje profesionale dhe kështu ka arritur objektivat.

Foto: Petrit Rrahmani (lajmi.net)

 

“Diplomacia në këto vitete fundit ka treguar zotësi, shkathtësi dhe qasje profesionale në arritjen e objektivave”.

“Falë punës suaj, kemi arritur një ngritje të fuqishme të shtetit të Kosovës në arenën rajonale, europiane dhe globale”.

Hoxhaj, po ashtu, tha se gjeografia e njohjeve është globale dhe është e pandalshme.

“Kosova deri në vitin 2013 është njohur nga 104 vende. Vetëm këtë vit kemi arritur tetë njohje me peshë rajonale e kontinentale, ndër to është edhe shteti i Egjiptit”.

“Është dëshmuar që gjeografia e njohjeve është globale dhe që njohjet janë të pandalshme”.

“Kosova ka marrëdhënie diplomatike me 63 shtete, me 41 shtete të tjera pritet që të fillojnë marrëdhëniet bilaterale. Ndërsa kemi 156 marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara”.

“Rezultatet e arritura janë meritë e popullit të Kosovës, janë meritë e punëve tuaja”.

Ministri Hoxhaj pohoi se sfida më e madhe është legjitimimi i pavarësisë. Ai e sheh diplomacinë multilaterale si një qasje të mirë për integrimet ndërkombëtare.

“Sfidë e madhe është legjitimimi i pavarësisë”.

“Diplomacia multilaterale do t’i mundësojë Kosovës integrimin e plotë në sistemin ndërkombëtar”.