Ambasadorët shqiptarë të Botërorit

Shqipëria nuk do të marrë pjesë në Botëror, por në Brazil do t’i kemi ambasadorët tanë gjithsesi. Janë nëntë futbollistë shqiptarë që mund të jenë pjesë e evenimentit më të rëndësishëm në botë të futbollit.

Sport

25/04/2014 13:38

Kombëtarja shqiptare nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Botëror ‘Brazil 2014’, e Kosova nuk pati të drejtë të luajë në eliminatoret për këtë eveniment.

Por, kjo nuk nënkupton se shqiptarët nuk do t’i kenë ambasadorët e tyre në evenimentin që do të mbahet këtë verë në Amerikën e Jugut.

Adnan Januzaj së fundmi e zgjodhi Belgjikën, me të cilën mund të marrë pjesë në Botëror, duke e shtuar listën e futbollistëve që pritet të marrin pjesë në këtë eveniment.

Edhe Shkodran Mustafi mund t’i bashkohet kontingjentit të Gjermanisë në Botëror, njëjtë si Arjan Ademi, që ka gjasa të thërret Kroacia.

Ndërkaq, ‘kolonia’ shqiptare gjendet, ku tjetër përpos të Zvicra. Janë gjashtë futbollistë shqiptarë që mund të ftohen nga përzgjedhësi Ottmar Hiztfeld gjatë kësaj vere, duke përfshirë këtu yjet si Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami.

Në total, numri i shqiptarëve në Botëror mund të jetë nëntë, si asnjëherë më parë.

Në të kaluarën, shqiptarët që kanë marrë pjesë në Botërore ishin, Ardian Kozniku me Kroacinë, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri dhe Albert Bunjaku me Zvicrën.