Ambasada Italiane do ta ndihmojë drejtësinë për ‘Grupin e Velanisë’

Ambasadori Italian në Kosovë, Andreas Ferrarese, thotë se është i gatshëm që të ndihmojë në hetimet e “Grupit të Velanisë”, por nuk flet për hetimet. Sipas tij, është e rëndësishme që kosovarët ta dinë se stafi i Ambasadës Italiane do të jetë korrekt me ta.

Lajme

07/02/2014 19:04

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, ka thënë se ai është i gatshëm që të ndihmojë në hetimet që po zhvillon EULEX, për rastin e shitjes së vizave italiane që duhet të jenë kryer nga një grup kriminal, në të cilin është i përfshirë edhe deputeti Ukë Rugova.

Në një intervistë dhënë për RTK, Ambasadori Ferrarese ka deklaruar se është e rëndësishme që të rritet transparenca dhe që kosovarët ta dinë se stafi i Ambasadës së tij është korrekt me ta.

“Unë do të mbështes gjithçka që është e nevojshme dhe t’i ndihmoj drejtësisë kosovare. Ambasada e Italisë ka qenë transparente me Policinë e Kosovës dhe EULEX’in”.

“Është në interesin tonë që të kemi transparencë. Ne kemi qenë në kontakt me Prokurorin dhe nuk mund të flas për hetimet që janë duke vazhduar”.

“Është e rëndësishme që opinioni kosovar ta dijë se stafi i Ambasadës vazhdon të jetë korrekt me ta”, ka thënë Ambasadori Andreas Ferrarese, në një intervistë në RTK.