Ambasada Gjermane sqaron rrethanat e drogës së zbuluar në Bavari

Ambasada Gjermane në Tiranë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sekuestrimit të sasisë rekord të marihuanës në Bavari, për të cilën më herët ka pasur edhe akuza dhe reagime edhe nga kampet e mazhorancës dhe të opozitës.

Lajme

18/05/2014 14:25

Në një njoftim për shtyp, përfaqësuesit e qeverisë gjermane në Shqipëri janë shprehur:

“Referuar raportimeve të mediave shqiptare të datës 17.05.2014 rreth sekuestrimit të një sasie marihuane prej 150 kg në datën 25.04.2014 dhe arrestimit në këto rrethana të disa shqiptarëve, Ambasada Gjermane në Tiranë njofton si më poshtë:

Raportimet e publikuara në mediat shqiptare i referohen një deklarate për shtyp të Zyrës së Hetimit Doganor të Mynihut publikuar më 16.05.2014, e cila u tematizua ndër të tjera edhe nga një artikull i “Süddeutsche Zeitung”, datë 17/18 maj.

Rrethanat faktike paraqiten si më poshtë:

Në kuadër të një kontrolli të përgjithshëm doganor, realizuar më 30.10.2013 në Nürnberg, procesit të verifikimit iu nënshtrua edhe një kamion me leje qarkullimi shqiptare. Një kontroll rutinë i kamionit me ndihmën e qenit antidrogë rezultoi pozitiv, çka shërbeu si shkak për një kontroll më intensiv të bllokut të gurit me peshë 17 ton ngarkuar në atë kamion. Në brendësi të bllokut të betonit u gjendën 374 pako me 685 kg marihuanë (pesha neto 645 kg).

Hetimet e gjera, realizuar pas kësaj bashkërisht nga autoritet kompetente shqiptare dhe gjermane, treguan se autorë krimesh në Gjermani dhe të tjerë syresh, deri më sot ende të paidentifikuar plotësisht në Shqipëri, kishin organizuar në bashkëpunim disa dërgesa marihuane nga Shqipëria në drejtim të Evropës Perëndimore. Policia shqiptare, së bashku me partnerët e saj gjermanë arriti të identifikonte kamionë dhe persona të tjerë, të cilët eventualisht janë përgjegjës për transporte të tilla të ngjashme në drejtim të Gjermanisë, Italisë dhe Holandës. Kështu autoritetet hetimore në Gjermani mundën të kapnin një sasi marihuane prej 150 kg të fshehur në një kamion, si dhe të ndalonin autorët tanimë të njohur prej procesit të hapur që në tetor të vitit 2013. Hetimet për persona të tjerë pjesëmarrës në këtë akt kriminal vazhdojnë.

Duke u nisur nga sasia e sekuestruar e datës 30.10.2013 prej autoriteteve të ndjekjes penale përllogaritet që, për transporte të ngjashme, autorët të kenë kontrabanduar rreth 5.5 ton marihuanë. Ndërkohë mbështetur në bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë këtu atë me policinë dhe Prokurorinë shqiptare, janë duke u ndërmarrë verifikime të mëtejshme, që kanë të bëjnë me këtë grup kriminal.