Ambasada gjermane: Mustafa e Haradinaj shkuan privatisht në Berlin

Shumë bujë e madhe u bë në Prishtinë se Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj janë ftuar në Berlin për të diskutuar rreth krizës politike disa mujore. Mirëpo Ambasada gjermane në Prishtinë e ka konfirmuar, se shteti gjerman nuk është i përfshirë fare në vizitat e Mustafës dhe Haradinajt në Gjermani.

Lajme

11/11/2014 19:11

Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë të ditur se nuk janë të përfshirë në organizimin e vizitave të liderit të LDK-së dhe atij të AAK-së në Gjermani.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, Ambasada iu informon që ne nuk jemi të përfshirë në këto vizita. Çdo politikanë është i lirë të organizojë vet vizitat e tij në Gjermani”, është përgjigja e shkurtër por e qartë e Ambasades gjermane në Prishtinë, thënë për Indeksonline.

Sipas kësaj përgjigje, lideret e LDK-së dhe AAK-së nuk shkuan në Berlin me ftesa, por ishte thjeshtë dëshirë e tyre që të udhëtojnë drejt Berlinit, ndërsa në Kosovë u munduan të përhapin fjalën se agjendat e tyre përfshijnë takime me kancelarin gjermane, Angela Merkel e cila do t’i jepte përkrahje njërit apo tjetrit për tu bërë kryeministër i ardhshëm në Kosovë.

Në kohën kur Angela Merkel është personi kryesor në Evropë që merret me rrezikun që sjelljet e Rusisë ia shkaktojnë sigurisë së kontinentit evropian, është absurde se si disa media përhapin spekulime që Merkel do të merrej me çështjet e brendshme të Kosovës.