Ambasada austriake: Deri në gusht, Kosova do të furnizohet me 95 mijë vaksina antiCOVID

Ambasada Austriake në Prishtinë ka lëshuar një njoftim pas furnizimit të Kosovës me vaksina kundër COVID-19  të BionTech/Pfizer.

Lajme

04/05/2021 19:33

Në njoftimin e tyre thuhet se sot në Kosovë kanë arritur 4 mijë e 680 doza të vaksinave, ndërsa deri në muajin gusht Kosova do të furnizohet me gjithsej 95 mijë vaksina, të cilat janë të financuara nga Bashkimi Evropan dhe janë siguruar nga Austria.

” Kjo do kontribuoj në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ambasadori austriak Christoph Weidinger  tha se për Austrinë është nder i veçantë dhe vepër solidarizimi me qytetarët e Kosovës, ta mundësojë transferimin e këtyre dozave; sepse, hapësirat e pambulura në hartën e vaksinimit, pavarësisht ku janë ato, paraqesin rrezik për të gjithë ne.

“Është madhështore të shohësh se vetëm pak ditë pas paralajmërimit të Ministrit austriak për punë të jashtme z. Alexander Schallenberg, presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen dhe komisionerit z. Olivér Várhelyi, është realizuar furnizimi me vaksinat mëse të nevojshme kundër Covid. Për Austrinë është nder i veçantë dhe vepër solidarizimi me qytetarët e Kosovës, ta mundësojë transferimin e këtyre dozave; sepse, hapësirat e pambulura në hartën e vaksinimit, pavarësisht ku janë ato, paraqesin rrezik për të gjithë ne. Nuk duhet të harrojmë se askush nuk është i sigurtë, përderisa nuk janë të gjithë të sigurtë! Të jeni të sigurtë, se Austria ka qëndruar dhe do qëndroj edhe më tej përkrah popullit të Kosovës!”, tha ambasadori austriak.

Kujtojmë se sot në Kosovë arritën 4 mijë e 680 vaksina të Pfizer.