Ambasada amerikane inkurajon deputetët të votojnë për gjykatën

Bota është duke shikuar për të parë nëse Kosova është e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë pohimet e Dick Martyt.  Ky nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim. Kështu thuhet në një kumtesë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, e cila inkurajuar deputetët e Kuvendi të Kosovës që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Lajme

22/04/2014 14:22

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është e inkurajuar nga aprovimi i sotëm nga ana e Qeverisë së Kosovës i ligjit për ratifikimin e Shkëmbimit të Letrave mes Presidentes Jahjaga dhe Baroneshës Ashton. Sipas saj, ky vendim qartësisht i vë interesat afatgjata të Kosovës para shqetësimeve politike afatshkurtra.

“Ne tash apelojmë në anëtarët e Kuvendit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës për t’u marrë me pohimet serioze nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010”.

“Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuhet në deklaratën për media të lëshuar nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Sipas kësaj ambasade, për të ecur përpara, Kosova duhet të merret me këto pohime.

“Dështimi për të krijuar këtë gjykatë do t’i detyrojë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë që të merren me këto pohime. Kjo do t’i bëjë dëm të pamatshëm imazhit të Kosovës dhe aspiratave të saja euroatlantike”.

“Anëtarët e Kuvendit do t’i shërbejnë më së miri interesave të Kosovës duke qenë të përkushtuar për një proces juridik kredibil, që është i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare”.

“Ambasada e kupton se kjo është një çështje e ndjeshme për Kosovën. Sidoqoftë, ky është një hetim që përqendrohet në individët dhe nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim”.

“Krijimi i kësaj gjykate është opsioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës. Andaj Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të qëndrojnë pranë Kosovës gjersa ajo vazhdon të ecë përpara me këtë detyrë thelbësore”, thuhet në deklaratë.