Aleksandri nuk lejohet nga i ati të luajë për Kosovën

Novica Shoshiq nga fshati Pasjan i Gjilanit, i ati i futbollistit të talentuar, Aleksandar Shoshiq, është përfshirë në bujën e madhe që është krijuar lidhur me mundësinë e përfshirjes së këtij të riu në reprezentacionin e Kosovës.

Lajme

06/08/2014 19:38

Kreu i familjes Shoshiq ka thënë për mediat serbe se i biri i tij nuk do të luaj asnjëherë për Kosovën.

“Djali i im po merret me futboll pasi që është gjëja që i pëlqen më së shumti në jetë. Pasi që nuk ka kushte që të luaj për Pasjanin tonë, e kam dërguar të luaj për Dritën e Gjilanit. Nëse dikush në Serbi ka ndonjë ide më të mirë dhe dëshiron të na ndihmojë, le të urdhërojë. Më parë do ta pranoja një mundësi të tillë”. Ka thënë Novica për mediat serbe, transmeton lajmi.net.

I pyetur se si është pranuar nga bashklojtarët tjerë shqiptarë i biri i tij, Aleksandri, Novica thotë: “Në fillim nuk është se nuk jam brengosur që i biri i im po bënë stërvitje me 30 shqiptarë. Por më pas çdo gjë ka kaluar pa probleme. Është pranuar atje që të fitojë kondicion, ndërsa tash kam lexuar në faqet serbe, duke e gjykuar atë që është bërë lojtar i Dritës dhe Reprezentacionit të Kosovës”.

“Nëse pyetet i ati, ai nuk do të luaj për këtë reprezentacion. Nuk jam ndonjë patriot sipas kritereve që i paraqet Beogradi, por mund të them se i biri im nuk do të luaj asnjëherë për Kosovën. Nëse do të jetë i suksesshëm, do të mund të luaj për Serbinë, ndërsa në klubin Drita, ai nuk është fare i regjistruar”, ka thënë i ati i Aleksandrit.