Aleati i Thaçit, Mustafës e Haradinajt

Në Klinë me PDK’në, në Istog me AAK’në ndërsa në Lipjan me LDK’në. Sasa Djokic i është afruar partive të tre liderëve kryesorë të Kosovës për bashkëpunim parazgjedhor e paszgjedhor në nivel lokal.

Lajme

19/10/2013 09:56

Kryetari i socialdemokratëve serbë të Kosovës, Sasa Djokic, ka thënë se partia e tij tashmë ka arritur marrëveshje me partitë shqiptare dhe serbe rreth bashkëpunimit parazgjedhor dhe paszgjedhor në nivelin lokal, raporton Blic.

Sipas tij, në Komunën e Klinës, ai ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen për koalicion në nivel lokal me PDK’në për këshilltarët komunalë në Klinë. Sipas kësaj marrëveshjeje, obligohemi që për Kryetar të Komunës së Klinës ta mbështesim kandidatin e PDK’së (Sokol Bashotën)”, ka thënë Djokic.

Ai ka thënë se socialdemokratët do të punojnë që të kenë sa më shumë këshilltarë komunalë të përkatësisë etnike serbe në Asamblenë Komunale të Klinës gjë që do të bëjë të mundur që ata në mënyrë legale dhe legjitime të luftojnë për përmirësimin e kushteve të jetës së serbëve në këtë komunë të Dukagjinit.

Më parë, partia e tij, gjithashtu në nivel lokal, në komunë e Istogut, kishte lidhur koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt.

Ai ka thënë se socialdemokratët e tij në këtë komunë do ta mbështesin kandidaten e AAK’së për kryetare Donika Kadaj- Bujupi dhe do të përpiqen që të kenë sa më shumë këshilltarë në Asamblenë Komunale.

Përveç koalicioneve me partitë e shqiptarëve, Djokic ka thënë se partia e tij ka arritur marrëveshje edhe me Iniciativën Qytetare “Bashkësia e serbëve të Kosovës”, kandidatin e të cilës Bojan Stojanovic do ta mbështesë në garën për Kryetar të Graçanicës. Në këtë komunë, socialdemokratët kanë një listë prej 12 kandidatëve për këshilltarë.

Djokic ka thënë se aktualisht në komunë e Lipjanit, partia e tij është duke biseduar për një bashkëpunim në nivelin lokal me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.