Albini beson në rritje

Vetëvendosje prezantoi kandidatët e saj për 28 komuna, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Albin Kurti përmendi dy momente të veçanta të rritjes së tyre. Foli edhe për dialogun me Serbinë dhe konstatoi se ai po e dobëson Kosovën si shtet.

Lajme

15/09/2013 18:53

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar 28 kandidatët për kryetarë komunash dhe 881 kandidatët për asambelistë, me të cilët do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur me këtë rast, ka thënë se janë dy momente të veçanta të rritjes së tyre. Sipas tij, momenti i parë i takon vitit 2010 – kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, dhe tash në vitin 2013 – kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

“Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje është e dyfishtë. Jemi rritur në numra të anëtarëve dhe përkrahësve, pra jemi rritur si organizatë. Dhe, jemi rritur politikisht e intelektualisht, duke e avancuar Manifestin në Program Politik dhe tash së fundi edhe në Alternativë Qeverisëse.”

Ai tha se janë të gatshëm të fitojnë me 3 nëntor.

“Me fitoren tonë në zgjedhjet lokale, i hapet rruga fitores sonë në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat, më së largu, mbahen vitin e ardhshëm. Kështu, ndërrimi i pushtetit qendror do të nisë prej poshtë – lart, ashtu siç e ka kahen vetë demokracia”.

Lideri i Vetëvendosjes është ndalur edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, duke konstatuar se ai po e dobëson Kosovën si shtet.

Tha se Kosova e shpallur si shtet multietnik — në vend të integritetit territorial — po federalizohet në territore etnike. Edhe komuna si nocion, sipas tij, është e gjymtuar.

“Bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me Serbinë po e normalizon entitetin e Serbisë brenda Kosovës, që më tej e kthen Kosovën në një shtet të dobët, gjithnjë e më të dobët, drejt dështimit të plotë të tij.”

“Kjo e ka gjymtuar edhe idenë e nocionin e komunës në Republikën e Kosovës. Nuk është e rastësishme që entiteti i Serbisë në Kosovë po quhet Asociacion a Bashkësi e Komunave me shumicë serbe.”

“Në vend se të kemi bashkësi të qytetarëve brenda komunave, po sajohet Bashkësia e Komunave që i ndajnë njerëzit mbi baza etnike dhe privilegjojnë njërën përkatësi.”