Albin Kurti s’mund ta mënjanojë Listën Serbe, kushtetuta e obligon të konsultohet me ta

Lista Serbe ka arritur të fitojë 10 mandatet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit. Të njëjtit morën 52 mijë e 620 vota, ose 6.61 për qind të tyre.

Lajme

10/10/2019 20:39

Duke iu referuar fituesit të zgjedhjeve, Albin Kurtit i cili tha se në qeverinë e tij nuk do të ketë ministër nga Lista Serbe, nga kjo parti thanë se asnjë qeveri kosovare nuk mund të bëhet pa ta.

Kurti deklaroi ditë më parë se Lista Serbe në fakt është shteti i Serbisë dhe për këtë arsye nuk mund të jetë në qeverinë e tij asnjë anëtar i saj. Ndërsa, nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, iu ka thënë medieve serbe se nëse Kurti dëshiron të formojë qeveri legjitime, atëherë duhet të trokasë në derën e Listës Serbe.

Eugen Cakolli nga KDI ka sqaruar për lajmi.net, nëse Kurti mund t’iu ‘ik’ serbëve të kësaj Liste.

“Zgjedhja e këtyre ministrave kërkohet të bëhet në konsultim me subjektet politike të cilat përfaqësojnë komunitetet përkatëse. Kjo nënkupton se nëse Lista Serbe fiton të gjitha ulëset e garantuara për komunitetin serb, kandidati për kryeministër është i obliguar që numrin e përcaktuar të ministrave dhe zëvendësministrave ta bëjë në konsultim me Listën Serbe”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, në rast se për këto pozita caktohet dikush jashtë përbërjes së Kuvendit, atëherë nevojitet miratimi formal i shumicës së deputetëve të komunitetit serb.

“Në rast se nuk merret ky aprovim, atëherë kandidatura e kryeministrit nuk kalon”, ka theksuar Cakolli.

E njohësi i Kushtetutës, Muhamet Kelmendi ka treguar se çfarë pozita do të kenë minoritetet në qeverinë e ardhshme, kushdo që e formon atë.

“Në Qeveri duhet të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga komunitetet jo-shumicë nëse janë vetëm 12 ministri. Në qoftë se kalohet numri i 12 ministrive, janë 2 ministri nga serbët, 1 nga komunitetet jo-shumicë, 3 zëvendësministra nga serbët dhe 2 zëvendësministra nga komunitetet jo shumicë”, ka thënë Kelmendi për lajmi.net.

Ai shtoi se një nënkryetar i Kuvendit duhet të jetë nga pakicat serbe dhe një nënkryetar nga pakicat jo-serbe.

Ndërsa sot, Kurti tha se është obligim kushtetues që nga komunieti serb të kemi një ministër nëse maksimalisht janë  12 ministri.

“Ne do ta respektojmë kushtetutën por nuk do të vrapojmë te Lista Serbe pa biseduar me serbët tjerë që kanë garuar dhe të cilët kanë thënë se iu është bërë shkelje e madhe. Nuk do shkojmë te njerëzit e Beogradit, pa e bërë hapin e parë me serbët që po e pranojnë shtetin tonë”, ka deklaruar Kurti.

VV dhe LDK sot kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Sa ministra e zëvendësministra do t’i kenë serbët në qeverinë e ardhshme sipas Kushtetutës?