Albin Kurti premton protestë paqesore

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë të hënën në Ferizaj se protesta e së mërkurës do të jetë paqësore e në të cilën do të mbizotërojnë dy kërkesa kryesore, shkarkimi i ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, dhe mbrojtja e Trepçës me një ligj të veçantë.

Lajme

02/02/2015 17:50

Ai para anëtarësisë së VV-së tha se kjo lëvizje nuk heq dorë nga dy kërkesa dhe nuk heq dorë nga protesta si metodë paqësore.

“E di që na kanë ofruar dialog në Kuvendin e Republikës, por nuk e kanë pasur asnjëherë seriozisht dhe nuk e patën as sot seriozisht në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Ne i kemi pasur dy demonstrata të fuqishme, mirëpo nuk pati seancë të Kuvendit, pra nuk kanë qenë të interesuar të mbajnë seancë të Kuvendit”, tha Kurti.

Sipas tij, ajo që është më interesante sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, kërkesa për interpelancë e VV -së për çështjen e Jabllanoviqit është dashtë që të rezultoi me një seancë të martën.

“LDK-ja ka kërkuar me kërkesën e vet Isa Mustafës që të mos mbahet seanca e Kuvendit nesër, por të shtyhet për të enjten. Pra, ata po thonë se në njërën anë duan dialog e, në anën tjetër, nuk po duan seancë. Le të shkojmë në seancë të Kuvendit dhe diskutojmë këtë çështje, kështu që sot në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që çështja Jabllanoviq të diskutohet të enjten e jo të jetë nesër, para protestës”, tha ai.

Për sa i përket çështjes së Trepçës, lideri i VV-së vuri në dukje se problemi qëndron në atë se kush po i shfrytëzon resurset jo vetëm të këtij kombinati, por edhe të komplekseve tjera.

“Çështja është se kush po e shfrytëzon. Edhe në kohën e Millosheviqit toka ka qenë në territor të Kosovës, por kush e ka shfrytëzuar. Nuk është puna se në cilin territor është, por nën kontroll të kujt është, në shfrytëzimin e kujt është” ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, vazhdimisht po flitet për dhunën e protestuesve, e asnjë fjalë për dhunën policore, e cila ishte planifikuar aty e ndaj së cilës pati reagim të protestuesve.

“Është vështirë me gjet ndonjë protestues i cili me 26 janar, një ditë para protestës, do të mendonte për të hedhë gurë. Asnjëri nuk ka ardhur me çantë me gurë, kanë marrë gurë që kanë gjet nëpër tokë sepse policia armatimin që e kish sjell aty nuk e kish sjellë për ta ekspozuar, por për ta përdor. I kanë përzgjedhë aktivistët që t’i rrahin, i kanë rrahur dhe në stacion të policisë, por ata kanë me marrë prapë pjesë në protestë, se ne as nuk frikësohemi e as nuk nënshtrohemi”, tha ai pos tjerash, transmeton KosovaPress.