Albin Kurti kërkon një Republikë të re

Albin Kurti tha sot se duhet të bëhet një transformim i shtetit, nga privatizimi abuziv te shteti zhvillimor. Ai tha se ky transformim do të shënonte një Republikë e re për ta shpëtuar Republikën si ide e si vlerë, si politikë aktuale e si realitet shoqëror.

Lajme

30/01/2014 13:03

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, foli sot për përvjetorin e gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se mund të thuhet se pika më e lartë e kësaj pavarësie ishte shpallja.

Që prej atëherë, sipas tij, nuk pati zhvillim ekonomik e punësim, nuk pati shtrirje të sovranitetit dhe vendosje të integritetit territorial, dhe nuk pati as zvogëlim të korrupsionit e krimit.

Kurti tha, gjatë seancës së sotme plenare, se mbi të gjitha, vazhduan edhe negociatat e padrejta me Serbinë edhe privatizimet e paligjshme.

“Prandaj, nëse Republika e parë e Kosovës, pra ajo që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 ishte republikë-për-rezistencë në kushtet e okupimit dhe apart’heidit, kjo republika e 17 shkurtit të vitit 2008 doli të jetë republikë-për-shitje”.

“Po them republikë-për-shitje sepse ajo përherë ishte dhe vazhdon të jetë, në njërën anë, republikë e negociueshme, kurse, në anën tjetër, republikë e privatizueshme. Republika e dytë e Kosovës është bërë republikë e pakicës dhe jo republikë e shumicës”.

Sipas tij, është interesante qysh shumë qeveritarë por edhe deputetë që i mbështesin edhe negociatat edhe privatizimet orvaten ta mbrojnë shtetin e pavarur dhe Republikën e Kosovës prej Lëvizjes së tij.

“Pra, këta politikanë që bëjnë paqe të turpshme e kompromise të kalbura me Serbinë, këta politikanë që republikën nga një Res Publica e shndërruan në një Res Privata, e paskan gjetur armikun e pavarësisë: Vetëvendosjen”.

“Përderisa Serbia po forcohet përbrenda Kosovës, përderisa korrupsioni e pabarazia po rriten, këta politikanë të regjimit shtiren se po e mbrojnë pavarësinë duke e sulmuar Vetëvendosje’n në çdo hap”.

“Bëhet fjalë për të njëjtit politikanë që betoheshin te Ahtisaari dhe paketën e tij e cilësonin të shenjtë”.

“Tash pikërisht këta janë të gatshëm për ndryshime kushtetuese, për privilegje e favorizime partikulare sipas përkatësisë etnike”.

“Prej Asociacionit të komunave me shumicë serbe ku do të sundojë partia e çetnikëve nga Beogradi e deri tek amnistimi i kriminelëve serbë nga veriu, prej tendencave të vazhdueshme për ulëse të rezervuara edhe për një a dy mandate e deri te pazaret e paralajmëruara për Trepçën e Ujmanin, të gjitha këto projekte kundër Republikës, e kanë gjetur mbështetjen në këtë Qeveri dhe në këtë Kuvend ndërkaq kritikën parimore e kundërshtimin kategorik vetëm te Lëvizja Vetëvendosje”.

Albin Kurti tha se Republika e dytë e Kosovës nuk do të mbijetojë kështu.

“Ne duhet të kalojmë te një transformim i shtetit tonë, nga privatizimi abuziv që fabrikat i shndërroi në qendra tregtare, te shteti zhvillimor që ekonominë e orienton në prodhim; nga pazaret me Serbinë që po na e bosnjëzojnë shtetin te sovraniteti republikan që e bashkon Mitrovicën dhe na e heq edhe nenin 1.3 të kushtetutës që i përket konceptit të Brezhnjevit për sovranitet të limituar”.

“Ky transformim do të shënonte Republikën e tretë të Kosovës, republikën e vërtetë. Na duhet pra një republikë e re për ta shpëtuar republikën si ide e si vlerë, si politikë aktuale e si realitet shoqëror”.