Albin Kurti i shpall “luftë” pranisë së NATO-s, por vetë Kushtetuta ia njeh autoritetin superior në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përpjekje për të shpikur tema mediale për t’iu shmangur heqjes së tarifës, sot ka befasuar me injorancën e tij dhe të ekipit të tij ligjorë.

Lajme

26/02/2020 12:54

Duke u thirrur në një letërkëmbim të vitit 2013-të të ish-kryeministrit Hashim Thaçi me ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen, të cilin ai e ka interpretuar si “marrëveshje sekrete” në dëm të Kosovës, ka pretenduar sikur ka zbuluar “ujin e nxehtë”, por që në të vërtet ai letërkëmbim nuk është asgjë më shumë se një zotim i Thaçit asokohe si kryeministër se FSK-në e dërgon në veri vetëm në koordinim me NATO-n.

Vlen të theksohet se në vitin 2013-të, institucionet e Kosovës, të udhëhequra nga Qeveria Thaçi ishin duke bërë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, ku ndër pikat më kryesore të këtij rishikimi ishte transformimi 10 vjeçar i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese. Në atë kohë, NATO pajtohej me këtë ndryshim kushtetues, por kërkonte garanca nga institucionet e Kosovës se nuk do të bëjnë zbarkimin e ushtrisë së Kosovës në veri të vendit pa një marrëveshje me NATO-n përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Sikur Kurti dhe këshilltarët e tij ligjorë, të cilët me këtë shkresë pretendojnë se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese të merrnin mundin dhe ta lexonin së pari Kushtetutën e Kosovës, në nenin 153 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [Prania Ndërkombëtare Ushtarake], Kryesuesit të Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, përkatësisht Komandantit të KFOR-it, i cili i përgjigjet direkt Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i njihet autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të detyrave të NATO-s, sipas pakos së Ahtisaarit.

“Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007. Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen”, thuhet në këtë nen të Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu, edhe në vetë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës thuhet qartë në pikën 5 se ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë”, thuhet në Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Për më tepër, dokumenti mbi të cilin u shpall edhe vetë Pavarësia e Kosovës e përcakton shumë qartë rolin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Në artikullin 13 të Planit të Ahtisaarit parashihet roli dhe mandati i NATO-s në Kosovë dhe superioriteti që kjo forcë ndërkombëtare ka në raport me institucionet vendore të sigurisë, ku nuk përjashtohet as ndërhyrja ushtarake e KFOR-it për të eliminuar çfarëdo pengese që ata mund të hasin gjatë realizimit të mandatit të saj në Kosovë. Ndërsa, në aneksin XI të po këtij plani janë të përshkruara në detaje edhe detyrat dhe përgjegjësisë që KFOR-i ka në Kosovë.

Nga padituria e kryeministrit të ri të Kosovës për obligimin kushtetues që ai ka, brenda një periudhe shumë të shkurtër edhe vetë Kurti do të obligohet të bëj të njëjtin zotim sikurse paraardhësi i tij Hashim Thaçi karshi NATO-s, përndryshe NATO do të detyrohet të shqyrtojë edhe alternativa të tjera për të realizuar misionin e vet në Kosovë të dhënë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Lajmi.net/