Albin Kurti është anti-perëndimor: Shqiptaret e Kosovës duhet të zgjedhin mes tij dhe ShBA’së

Raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë në krizën më të rëndë që kanë përjetuar ndonjëherë në histori, për shkak të mosbesimit që kryeministri Albin Kurti ka ngjallur në mënyrë të vazhdueshme në Uashington, si një partner jo serioz i SHBA. Shkruan: Mero Baze Tani kjo nuk është më hamendje gazetarësh, por…

Opinion

28/03/2024 17:26

Raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë në krizën më të rëndë që kanë përjetuar ndonjëherë në histori, për shkak të mosbesimit që kryeministri Albin Kurti ka ngjallur në mënyrë të vazhdueshme në Uashington, si një partner jo serioz i SHBA.

Shkruan: Mero Baze

Tani kjo nuk është më hamendje gazetarësh, por deklaratë zyrtare nga i dërguari i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili është larguar i zhgënjyer nga Kosova pas refuzimit të kryeministrit Kurti për kërkesat e SHBA për Kosovën.

Problemi është më i rëndë se sa duket, pasi në SHBA është pjekur mendimi se Albin Kurti nuk është partner i SHBA, dhe po diskutohet nëse duhet mbajtur Kosova si partnere e SHBA, apo duhet trajtuar si Albin Kurti.

Të ndash Albin Kurtin nga Kosova në këto momente nga pikëpamja diplomatike është e pamundur, pasi vendimet për Kosovën i merr Albin Kurti. Sado që të gjithë përpiqen të thonë që Albin Kurti nuk është Kosova, në fakt Albin Kurti është Kosova, dhe SHBA apo BE, nuk ka si ta ndajë Kosovën nga Albin Kurti.

Të vetmit që mund ta ndajnë Kosovën nga Albin Kurti janë shqiptarët që votojnë, por ata ja kanë besuar Kosovën, Albin Kurtit, dhe nuk mund t’i paragjykojmë pse e kanë bërë këtë. Ndaj thjesht ata duhet të përballojnë humbjen e partnerit me SHBA dhe BE, dhe pasojat e kësaj goditje të rëndë për Kosovën.

Gjithë këto broçkullat e tjera që përpiqen të relativizojnë krizën me SHBA, duke e lidhur me emra të përveçëm, me lobime, dhe akoma më keq me përpjekjen për t’i bërë karshillëk SHBA me disa lobistë anonimë në politikën gjermane apo britanike, e bëjnë dhe më serioze krizën, pasi tregon që nuk ka rrugëzgjidhje.

Kriza është këmbëkryq mes Kosovës dhe SHBA dhe është krizë besimi ndaj kryeministrit të Kosovës.

Të gjitha përpjekjet për të maskuar këtë krizë si diçka konjukturiale, dhe akoma më tepër përpjekjet për ta paraqitur Albin Kurtin si strateg anti-amerikan, që nuk u përulet superfuqive, janë hipokrizi ndaj Kosovës.

Albin Kurti është udhëheqës legjitim i Kosovës dhe është një udhëheqës i qartë anti-perëndimor dhe sidomos anti-amerikan.

Hipokrizia për ta maskuar këtë histori se duhet të jemi dhe me Albin Kurtin, dhe me SHBA, i shërben forcimit të konfliktit të SHBA me Kosovën. Ndaj shqiptarët në Kosovë duhet të zgjedhin nëse Kosovën do t’ia besojnë SHBA dhe BE, apo Albin Kurtit.