Albin Kurti beson se do ta drejtojë Kosovën
Albin Kurti thotë se Vetëvendosje do të hedhë binarët e qeverisjes së ardhshme. Ai deklarohet kundër vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë dhe kundër krijimit të Tribunalit për UÇK’në. Thotë se PDK nuk do, LDK nuk guxon, AAK nuk di.

Lajme
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mendon se subjekti i tij “duhet dhe do të dalë” subjekti i parë në zgjedhjet nacionale të këtij viti.
Në një intervistë dhënë për emisionin Argument Plus në RTV21, Kurti tha se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje edhe sot. Ai tha se koalicionin paszgjedhor do ta bëjnë vetëm nëse dalin partia e parë.
“Koha e duhur për zgjedhje është qysh dje, por kjo nuk është e mundur, andaj do të thotë qysh nesër”.
“Vetëvendosje është e gatshme për çdo ditë për shkuarje në zgjedhje, sepse një ditë më pak e Qeverisë është një ditë më shumë për qytetarët”.
“Ne tash për tash nuk mendojmë se me lehtësi fitojmë 51 për qind, por pas zgjedhjeve do të bëjmë koalicion kur të jemi të parët dhe do të shikojmë se më kë kemi përputhje programore”.
“Këto programe që kemi ne, do e nxjerrin Kosovën nga kriza”.
“Ne do të hedhim binarët e qeverisjes së ardhshme dhe do të shikojmë se me kë kemi besim të ndërsjellë”.
“Njerëz që janë në hetime, nuk do të pranojmë”.
Albin Kurti, në vazhdim të intervistës së tij për Argument Plus në RTV21, u shpreh se kur Vetëvendosje të vijë në pushtet, së pari do ta ndërpresë dialogun me Serbinë dhe së dyti do ndalojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
“Ne me 2 poteza do e hedhim Serbinë në defanzivë. Së pari do të ndërpresim dialogun me Serbinë, do të fillojë bisedimet me SHBA’në, Tiranën, Londrën dhe në këtë rast Serbia do të mbetet keq sepse nuk do të mund të avancohet drejt rrugës së saj në BE”.
“E kemi shansin unik që Serbia po varet prej Kosovës në rrugën e saj në BE”.
“Së pari e ndërpresim, i vëmë kushte, dhe nuk lejojmë mallra të Serbisë dhe e dëmtojmë ekonominë e saj, jo pse e urrejmë, sepse ajo po sillet keq me ne”.
Kurti mendon se ideja për “Serbinë e Madhe” tashmë po bëhet realitet, me anë të një sërë “Serbisë të vogla”.
“Serbia po arrin të realizojë Serbinë e Madhe përmes një morie të Serbive të vogla si në Bosnje, në Mal të Zi, në Veri dhe jo vetëm në veri të Kosovës”.
“Ka një lloj ringjallje të hegjemonizmit serb. Por, kur ke udhëheqjen e keqe, ajo që është e paimagjinueshme bëhet e mundshme”.
Albin Kurti thotë se mocioni dhe peticioni i AAK’së për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës është i vonuar. Ai po ashtu bëri një analizë të shkurtër të të gjitha partive kryesore politike në vend.
“Është një nismë tepër e vonuar pas një flirtimi të gjatë me PDK’në”
“Kjo është simptomë e indinjimi që afrimi LDK-PDK dhe kjo gjë po e lë AAK’në anash. Dhe për këtë, kjo nismë është aspak parimore dhe është tepër vonë”.
“PDK nuk do, LDK nuk guxon dhe AAK nuk di. Ne duam, guxojmë dhe do ta ndryshojmë rrënjësisht Kosovën”.
Duke folur për mundësinë e krijimit të një Tribunali për krimet e luftës në Kosovë, Albin Kurti tha se kjo gjë për të është e papranueshme.
“Ky Tribunal është i padëshirueshëm dhe i paarsyeshme. Kemi nevojë për Tribunal për krimet e Serbisë, jo për krimet e Kosovës”.
“Kjo është e padrejtë, një Tribunal i tillë do të ketë për pasojë nxjerrjen e UÇK’së si një aventurë kriminale”.
Në intervistën për Argument Plus, Albin Kurti po ashtu tha se Vetëvendosje nuk do të pranojë që hapja e Kushtetutës për FAK’un të shfrytëzohet edhe për vazhdimin e vendeve të rezervuara.
“Ne nuk e pranojmë një kombinim të tillë, sepse është shantazh është kërcënim”.
“Ne duam që forcat e armatosura të quhen ushtri”.
“Ai (Kryeministri Hashim Thaçi) do të mund të përdor hapjen e Kushtetutës edhe për vendet e rezervuara”
“Ne besojmë se serbët që nuk janë integruar do të duhej të bëhej përmes barazisë dhe jo përmes privilegjeve. Ne besojmë se kjo është qasja e duhur për të ecur përpara”
“Ne jemi kundër edhe ulëseve të garantuara”, ka thënë Albin Kurti për RTV21.