Albana Morina fiton gjyqin ndaj ‘ProCredit Bank’

16:34 | 27 Maj 2016

Banka detyrohet që Albana Morinën ta kthejë në punë dhe t’ia kompensojë pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, tatimin në ATK dhe kontributet në Trustin Pensional.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim me të cilin është vendosur se ProCredit Bank t’ia kompensojë pagat Albana Morinës pasi gjeti se ajo ishte larguar kundërligjshëm nga puna.

Sipas vendimit të Gjykatës, banka gjithashtu është e detyruar që Albana Morinën ta kthejë në punë dhe gjithashtu e ka detyruar që Morinës si paditëse e këtij rasti t’i kompensohen pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, tatimi në Administratën Tatimore dhe kontributet në Trustin Pensional.

“Detyrohet e paditura që paditësen ta kthejë në punë dhe në detyrat e punës, analiste për menaxhimin e dokumenteve apo ndonjë vend tjetër që i përgjigjet vendit të punës në të cilin ka punuar paditësja”, thuhet në një pjesë të aktgjykimit.

Rasti i Albana Morinës ka qenë pjesë e një hulumtimi disamujor të cilin emisioni “Jeta në Kosovë” e kishte transmetuar në janar të vitit të kaluar.

Në këtë hulumtim, përveç Albana Morinës, kanë qenë edhe disa punëtorë të tjerë të cilët janë ankuar pasi janë larguar nga puna nga kjo bankë.

Në rastin e Morinës, sipas vendimit,  ProCredit Banka detyrohet që Morinës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënies  së punës e datës 4 qershor 2013 e deri më 31 janar 2016 kur me vendim të gjykatës ishte bërë ekspertiza financiare, t’i kompensohen 22 mijë e 557 euro.

Po ashtu është marrë vendim që banka ta kompensojë Morinën nga një shkurti i këtij viti e deri në zbatimin e aktgjykimit në shumën prej 750 eurove në muaj sipas pagës në vendin e punës në të cilin ka punuar paditësja. Banka si e paditur është detyruar që në llogarinë e Morinës në Administratën Tatimore të paguaj 1667 euro ndërsa në Trustin Pensional 2550 euro.

Vendimi e detyron gjithashtu që t’ia paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 1164 euro.

Por Gjykata i ka konsideruar si të pa bazuara kërkesat e Morinës për dyfishimin e pagave për shkak të diskriminimit në punë dhe ka refuzuar gjithashtu edhe kërkesën për kompensimin e dëmit jo material në shumën 100 mijë për prishje të imazhit dhe në shumën prej 20 mijë euro për dhimbje shpirtërore.