Alban Shabani transferohet te Skënderbeu

Alban Shabani është përforcimi i radhës për skuadrën e Skënderbeut.

Sport

22/10/2020 23:12

Skuadra e Llapit ka njoftuar për marrëveshjen e Shabanit me Skënderbeun.

Mesfushori defensiv ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me skuadrën e Kategorisë Superiore.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell njoftimin e KF Llapit (pa intervenime).

Zyrtarizohet transferimi i Alban Shabanit tek KF Skënderbeu
Suksese Alban, suksese Skënderbeut!
Podujevë, 22 tetor 2020 – Në orët e mbrëmjes së sotme është zyrtarizuar kalimi i mesfushorit me tipare defanzive, Alban Shabani tek skuadra shqiptare e Kategorisë Superiore, KF Skënderbeu. Shabani që është prodhim i Akademisë së klubit tonë i bashkangjitet Skënderbeut me kontratë 4 vjeçare të nënshkruar.
20 vjeçari Alban Shabani ka bindur drejtuesit e klubit korçar me paraqitjet e tij për Llapin në stinorin e kaluar duke u paraqitur në 18 paraqitje, 8 startues, 10 zëvendësues, duke arritur të asisonte dy herë në 882′ të luajtura.
Megjithëse futbollisti ishte nën kontratë me klubin deri në përfundimin e këtij edicioni, ishte klubi korçar që me insistimin e tyre bëri që Shabani të transferohet tek Skënderbeu për periudhën 2020-2024. Palët gjithashtu ishin dakorduar për huazimin e futbollistit, por këmbëngulësia e tyre për ta patur në sirtarin e kampit bardhekuq, rezultoi përfundimisht me transferimin për të cilin po njoftoheni sonte.
Alban Shabani karrierën e ka filluar tek Llapi duke kaluar kategoritë e reja zinxhirore dhe duke u shpallur kampion me kategorinë U-19. Raportet e mira në mes drejtuesve të klubit tonë dhe atyre të Skënderbeut ishin determinuese për transferimin e Shabanit, nga i cili presim shumë në të ardhmen dhe në një të ardhme të afërme presim ta shohim në ndonjë klub të madh evropian. /Lajmi.net/