Alba kërcënon gazetarin: Do ta këpus kokën

Mbrojtësi i Spanjës, Jordi Alba e shprehi mllefin e tij pas eliminimit të turpshëm nga Kampionati botëror duke kërcënuar një gazetar se: “Do ta këpus kokën”.

Sport

24/06/2014 11:10

Spanja përfundoi pjesëmarrjen në Kampionatin botëror në Brazil duke u eliminuar në fazën e grupeve pas dy humbjeve të njëpasnjëshme nga Holanda dhe Kili, duke e bërë të parëndësishme fitoren në duelin e fundit kundër Australisë.

Dëshpërimi është i madh. Kampioni në fuqi u turpërua duke u rikthyer menjëherë në shtëpi dhe kjo ka shkaktuar nervozizëm në mesin e futbollistëve, përfshirë mbrojtësin Jordi Alba.

Futbollisti i Barcelonës luajti 90 minutat e plota në fitoren 3:0 ndaj Australisë të hënën, por nuk ishte në gjendje të fshihte dëshpërimin e madh. Derisa po hynte në zonën miks pas ndeshjes, Alba duket se nuk ishte në disponim të mirë për të folur para medieve.

Në fakt, Alba njihet si futbollist që fare pak bënë deklarata publike, dhe veçoi një gazetar nga AS, duke e kërcënuar me fjalët: “Herën tjetër do ta këpus kokën”.

Ende nuk është e qartë se pse e bëri kërcënimin, por AS ka qenë një prej gazetave që nuk ka hezituar të bëjë kritika të ashpra ndaj ekipit pas dështimit në Brazil.