Alarmohet NATO, provokimi më i rëndë rus

NATO ka lëshuar një alarm në lidhje me prezencën e disa avionëve ushtarakë rusë, që lëviznin në hapësirat ndërkombëtare të Evropës, pa njoftuar autoritet e kontrollit të trafikut ajror.

Bota

29/10/2014 23:51

Lajmi është bërë i ditur nga NATO, e cila njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë parë të lëviznin në hapësirat ajrore të shteteve anëtare të Aleancës 26 avionë ushtarakë rusë. “Avionët rusë janë parë të lëvizin në hapësirën ajrore mbi Detin Baltik, Detin e Zi, Oqeanin Atlantik. Aktiviteti i tyre në qiejt evropianë është i pazakontë”, kanë theksuar autoritetet e NATO-s.

Në orën 3 të mëngjesit u kapën nga radarët 8 avionë rusë, që fluturonin mbi Detin e Veriut, në hapësirën pranë Norvegjisë. Dy prej këtyre avionëve lëvizën në drejtim të Oqeanit Atlantik, sipas informacionit të dhënë nga zyra e kontrollit ajror të Norvegjisë, Britanisë dhe Portugalisë. Pasdite 4 avionë të tjerë rusë fluturonin mbi Detin e Zi, duke qëndruar në hapësirën ajrore të Turqisë.

Gjithashtu disa të tjerë kanë qëndruar në hapësirën ajrore mbi Detin Baltik, duke bllokuar hapësirën ndërkombëtare ajrore gjermane, daneze, finlandeze e suedeze. NATO, thotë se në vitin 2014 janë bërë më shumë se 100 manovra ruse, tre herë më shumë se ato në vitin 2013.

“Këto manovrime mund të paraqesin një kërcënim për planet e fluturimit të aviacionit civil, sepse ata nuk marrin leje nga autoritet e kontrollit të trafikut ajror civil. Kjo mund të shkaktojë aksidente pasi nuk kanë garanci”, thonë autoritete e NATO-s.

Këto inkursione të avionëve rusë në hapësirën ajrore që kontrollohet nga NATO kanë filluar pas krizës në Ukrainë, si dhe forcimi i flotës së NATO-s në Detin Baltik.