Alarm për pako të dyshimtë në qendër të Tiranës

Një pako e dyshimtë është konstatuar në zonën e 21 Dhjetorit rreth orës 16:20 në Tiranë duke sjellë panik në zonë, për rreth 1 orë dhe mbylljen e të gjitha bizneseve pranë vendit të ngjarjes. Por pas hapjes nga ekspertët xhenierë pakoja ka rezultuar bosh.

Lajme

12/02/2015 17:06

Sipas gazetarit Spartak Koka, Pakoja e dyshimtë ishte vendosur në mes të rrugës, kur nisesh nga 21 dhjetori në drejtim të qendrës së Tiranës. Rruga u bllokua dhe automjetet janë devijuar për të kaluar në rrugë të tjera.

Ka qenë një qytetar që ka njoftuar policinë për pakon e dyshimtë. Forca të shumta policie kanë rrethuar të gjithë zonën dhe ekspertët xhenierë pas fotografimit termik, kanë bërë hapjen e pakos.

Për shkak të ngjarjeve të dy ditëve të fundit, prania e kësaj pakoje është konsideruar e rrezikshme, por fatmirësisht brenda saj nuk ka pasur asgjë. Nga raportimet në terren mësohet se dhjetëra banorë të zonës janë larguar nga banesat e tyre për shkak të frikës.

Ndërkohë që paraditen e sotme një tjetër sasi eksplozivi u gjet e vendosur në një biçikletë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, në kryeqytet./Balkanweb/

10967009_10202601988885673_633773568_n 10966650_10202601988205656_1180508591_n Pamje nga Lajmi.net të ngjarjes në Tiranë