Al-Shabab lë të vdekur 29 persona në Kenia

Së paku 29 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një sulmi me armë zjarri në Keni, njofton Ministria e Brendshme keniane.

Bota

06/07/2014 14:36

Dëshmitarët kanë thënë se disa njerëz të armatosur kanë bastisur një qendër tregtare në fshatin Hindi, në shtetin Lamu, dhe gjithashtu kanë sulmuar një stacion policor në Gamba të shtetit River Tana, gjatë natës të së shtunës.

Grupi i militantëve islamikë somalez al-Shabab ka pranuar se qëndron pas këtyre sulmeve. Ky grup gjithashtu është përgjegjës edhe për një seri sulmesh të tjera në rajon.

Një dëshmitar ka thënë për Reuters se njerëz të armatosur janë parë në Hindi të shtunën në mbëmje dhe më vonë ata kishin hapur zjarr.

“Ata thjesht silleshin vërdallë dhe qëllonin kë të gjenin rrugës, njerëz të pafajshëm, banorë të këtij fshati”, tha shefi i këtij rajoni Abdallah Shansi.

Agjencia franceze e lajmeve AFP, ndërkaq, raporton se njerëzit që u vranë janë kryesisht djem dhe vajza të cilët u munduan të iknin. Ndërkaq, Kryqi i Kuq ka raportuar se edhe 9 persona – 8 civilë dhe një polic- janë vranë në Gamba, si dhe një person tjetër është i zhdukur.

Ministria e Brendshme e Kenisë ka konfirmuar se në Hindi janë vrarë 20 persona.