Al Shabaab sulmon Presidencën e Somalisë

Militantët e grupit të militantëve somalezë Al Shabaab e kanë sulmuar pallatin presidencial në kryeqytetin Mogadishu, duke pohuar se e kanë marrë kontrollin mbi Presidencën.

Bota

08/07/2014 21:45

Ka raportime se janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna të armëve të zjarrit brenda pallatit presidencial, transmeton REL agjencitë e huaja të lajmeve.

Dëshmitarët thonë sulmi filloi me një veturë bombë, që shpërtheu te porta e ambientit me siguri të lartë.

Zëdhënësi i Al Shabaabit e ka konfirmuar se ky grup e ka kryer sulmin, duke thënë se militantët tash janë duke e kontrolluar pallatin presidencial.

Presidenti, Hassan Sheikh Mohamud nuk ka qenë në Presidencë gjatë kohës së sulmit.

Ende nuk dihet nëse ndonjë zyrtar tjetër i lartë ka qenë brenda pallatit në kohën e sulmit.

Al Shabaab e ka humbur kontrollin mbi Mogadishu në vitin 2011, por vazhdon të kryejë sulme të rregullta kundër qeverisë somaleze, e cila e ka përkrahjen ndërkombëtare dhe të forcave të Unionit Afrikan.