“Al Nusra” liron dy pengjet italiane, 15 milionë dollarë kesh

Dy punonjëset shëndetësore italiane të rrëmbyera në Siri para më shumë se pesë muajsh, kanë arritur në Romë pas lirimit të tyre nga militantët e grupit Al-Nusra, degë e Al Qaedas.

Bota

16/01/2015 10:17

Greta Ramelli, 20 vjeçare dhe Vanessa Marzullo, 21 vjeçare, kanë arritur të premten në mëngjes në aeroportin ushtarak Ciampino, që ndodhet në afërsi të kryeqytetit italian, shkruan BBC, raporton lajmi.net.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje se si është arritur lirimi i dy punonjëseve humanitare të organizatës “Horryaty”, të cilat ishin rrëmbyer në muajin korrik në afërsi të qytetit Aleppo.

Në aeroport për t’i pritur ishin prindërit e vajzave, që u shprehën se nuk kanë pasur gëzim më të madh në jetën e tyre, ndërkohë që i pranishëm aty ishte edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni.  

Greta dhe Vanessa janë dërguar në spital për kontroll shëndetësor përpara se të merren në pyetje nga prokuroria anti-terror, që e ka hapur rastin lidhur me rrëmbimin e tyre.

Në muajin dhjetor dy vajzat ishin shfaqur në një video të publikuar nga grupi Al-Nusra, sipas të cilit ato ishin rrëmbyer si përgjigje ndaj qeverisë italiane që po merr pjesë në sulmet ajrore kundër “Shtetit Islamik” në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Njëra nga vajzat në këtë video kishte folur në anglisht duke thënë se “jemi në rrezik dhe mund të vritemi”, dhe se “për jetët tona fajtore është qeveria italiane dhe forcat e saj ushtarake”.

Por sipas BBC-së, ka zëra të pakonfirmuara që për lirimin e dy vajzave italiane grupit Al Nusra i janë dhënë 15 milionë dollarë kesh, dhe se kjo marrëveshje është arritur në negociatat e “lehtësuara” nga Katari.

Al Nusra dhe “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS) e kanë kthyer në biznes marrjen e pengjeve perëndimore, pasi sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, gjatë dy vjetëve të fundit këto grupe radikale kanë përfituar qindra milionë dollarë. /lajmi.net/