Akuzat e PDK-së ndaj Gërvallës e Damkës, reagon Caritas Kosova: Dikush ka përdorur emrin tonë

Dje në një konferencë për media, Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministrin Fikrim Damka, se përmes një marrëveshje të lidhur me “Caritas”, kanë keqpërdorur 1.1 milion euro të buxhetit të Kosovës.

Lajme

02/06/2022 14:43

Ministria e Zhvillimit Rajonal që drejtohet nga ministri Fikrim Damka dhe vetë Gërvalla kanë reaguar pas denoncimit të PDK-së, duke mohuar akuzat.

Ndërkohë lidhur me rastin ka reaguar sot organizata Caritas Kosova me seli qendrore në Ferizaj, duke u distancuar nga një zhvillim i tillë dhe duke sqaruar se ajo s’ka të bëjë fare me një gjë të tillë.

Ky reagim bëhet për të njoftuar opinionin e gjerë dhe për të qartësuar përdorimin e emrit “Caritas”. Caritas Kosova distancohet nga këto zhvillime dhe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen në fjalë”, thuhet në reagimin e tyre.

“Caritas Kosova është organizata e vetme e cila njihet nga Kisha Katolike në Kosovë si organizatë humanitare dhe e cila ka legjitimitetin për të vepruar me këtë emër”, sqarohen më tej ata.