Akuza Akademike

Arben Hajrullahu i përgjigjet akuzave të Rektorit Ibrahim Gashit. Hajrullahu thotë se Ibrahim Gashi është avancuar vetë në mënyrë të paligjshme dhe ka bërë publikime në revista të rreme shkencore.

Lajme

27/12/2013 10:49

Qetësia dhe preokupimi me punët akademike janë ende shumë larg Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pak ditë pasi plasën akuzat në Fakultetin e Mjekësisë të cilat u përcollën me hetime, arrestime, suspendime e shkarkime, akuzat publike në Universitet janë shfaqur sërish.

Dhe ato tashmë kanë arritur deri te kulmi i këtij institucioni, Rektorati i Universitetit.

Në një intervistë për KTV, Rektori Ibrahim Gashi mbrëmë ka akuzuar Profesorin e departamentit të Shencave Politike dhe Administratës Publike në Fakultetin e Filozofisë, Arben Hajrullahu se po shpif kur po flet për paregullsitë, falsifikimet e manipulimet e tjera që ky i fundit thotë se ka vërejtur gjatë punës si profesor në këtë Department.

Rektori Ibrahim Gashi (në foto) pretendon se Arben Hajrullahu po synon t’ia zë pozitën

Gashi ka thënë se me kritikat e tij, Hajrullahu po e dëmton imazhin e UP’së, ndërsa paralajmëron masa ndëshkimore.

Rektori Gashi foli edhe për pretendimet e hajrullahut për t’ia zënë pozitën e kreut të Universitetit të Prishtinës.

Por në një reagim të lëshuar sot, Arben Hajrullahu ka mohuar këto pretendimet e Rektorit, ndërsa e ka akuzuar atë se është avancuar në mënyrë të paligjshme në pozitën e profesorit të rregullt.

Profesori Arben Hajrullahu (në foto) thotë se Ibrahim Gashi është avancuar në mënyrë të paligjshme

“Për Rektorin Gashi, kolegët në UP’së e për tërë opinionin publik, sqaroj që akuzat e Rektorit Gashi janë në fakt vet shpifja, plotësisht të pabazuara, jo-profesionale e që ngërthejnë edhe elemente paniku që siç duket e ka kapluar Rektorin Gashi. Nëse vërtetë Rektori Gashi beson që unë shpif atëherë i rikujtoj që gjykatat janë institucioni i fundit që dëshmojnë dhe shqiptojnë masa përkatëse. Po ashtu, Rektorit Gashi i rikujtoj që tërë atë se çfarë kam deklaruar publikisht mund ta dëshmoj me fakte, si p.sh. që edhe hallkat e menaxhmentit aktual të UP-së nuk kanë reaguar edhe atëherë kur kam vërejtur dhe u kam raportuar parregullsi serioze. Ndër të tjera edhe Rektori dhe menaxhmenti aktuali UP-së ka përgjegjësi direkte për imazhin përtoke të universitetit tonë”.

“Punën time dhe deklarimet e mia, posi edhe deklarimet e disa kolegëve të tjerë, lidhur me gjendjen aspak të lakmueshme në UP, Rektori Gashi do të duhej t’i kuptonte dhe pranonte ashtu siç janë – shprehje e brengës dhe kontribut për tejkalimin e sfidave nga të cilat lëngon UP-ja, të cilat shprehje dhe kontribute janë të garantuara edhe me Statutin e UP-së për lirinë e shprehjes së stafit akademik. Apo ndoshta e tërë kjo është e tepërt të kërkohet nga një Rektor i mësuar të flas në mitingje politike e i sapoavansuar në pozitën e profesorit të rregullt universitar bazuar në mashtrime akademike, si publikime në revista shkencore të rreme. Për më shumë Rektorin Gashi e ftoj publikisht që të bëjë dallimin në mes të punës dhe përgjegjësive që ka në universitet dhe sjelljeve e deklarimeve të llojit të mitingjeve politike. Bota akademike e publiku i gjerë le të gjykojë për këtë, e sa për të gjitha akuzat eventuale me Rektorin Gashi mund të takohemi edhe në gjykatë në çdo kohë”, ka thënë Arben Hajrullahu.