Aktualisht partitë pajtohen: Jahjaga, Presidente deri më 2016
Partitë pajtohen se me Kushtetutë, Atifete Jahjaga është Presidente e Kosovës deri në vitin 2016. PDK, LDK, VV dhe AAK nuk pritet t’i nxjerrin probleme Presidentes, në mënyrë që ta përfundojë mandatin të plotë. Por, nuk i dihet çfarë ndodh pas zgjedhjeve.
Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës duket se do ta mbajë postin saj deri në vitin 2016, kur edhe skadon mandati i saj.
Përfaqësues politikë në vend thonë se mandati i Presidentes është i rregulluar me Kushtetutë dhe nuk ka ndonjë arsye që të kërkohet ndërprerja e tij, raporton RTK.
Deputeti i PDK’së, Behar Selimi, ka thënë se mandati i Presidentes së Kosovës është i rregulluar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky mandat, sipas tij, përfundon në vitin 2016.
“Në bazë informacioneve që kam, posti i Presidentes akoma nuk është bërë çështje, por mund të bëhet çështje pas rezultateve të zgjedhjeve nacionale”.
“Kjo mund të bëhet çështje, pasi tek ne posti i Presidentit është çështje e marrëveshjeve politike të subjekteve më të mëdha politike parlamentare”.
Ndërsa Arben Gashi nga LDK thotë se nuk kanë arsye për ta kërkuar ndërprerjen e mandatit të Presidentes.
“Mendoj se është absolutizim i deklaratës së Ambasadores Amerikane. Ajo ka thënë që posti i Presidentit nuk është post i pazareve politike pas zgjedhjeve të përgjithshme të cilat do të mbahen në qershor”.
“Por nuk do të thotë që posti i Presidentes është i paprekshëm, mund të ndodhë që Presidentja të japë dorëheqje vetë.”
Edhe Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini, thotë se mandati i Presidentes nuk mund të ndërpritet para vitit 2016, vetëm në rast se shkelet Kushtetuta.
“Rrethanat për shkarkimin e Presidentes në detyrë janë tepër qartë të specifikuara në Kushtetutë të Kosovës. Dhe pozicioni i Presidentes nuk mund të jetë pjesë e pazareve politike”.
Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se çdo është e mundshme për subjektet politike në vend, të cilët me çdo kusht kanë synim pushtetin, e jo përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Edhe deklarimi i Ambasadores aktuale për çështjen e zgjedhjes përmes pazareve politike ose jo mendoj që duhet të merret seriozisht, sepse vetë ata nuk e marrin seriozisht”.
“Fatkeqësia është që jo vetëm Presidentja po zgjedhet përmes pazareve që po i bëjnë partitë politike për pushtet, por edhe koalicionet po ndërtohen në bazë të pazareve”.