Aktivizohen shtëpizat në Gërmi

Nesër, e premte, hapet një kamp për të rinj në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Lajme

23/07/2015 21:31

Kryetari i kësaj Komune, Shpend Ahmeti thotë se ky kamp do të jetë interaktiv dhe do të zgjasë tre ditë me radhë, në shtëpizat e Qendrës Rekreative në parkun e Gërmisë.

Sipas tij, kështu fillon edhe aktivizimi i shtëpizave në Gërmi.

“Qëllimi i këtij kampi është që të rinjtë e moshave 14-16 vjeçare të njoftohen me bukuritë natyrore të Kosovës, të shkëmbejnë përvoja dhe të zhvillojnë aftësi të reja që mund të jenë të dobishme për ta në të ardhmen si p.sh të bëjnë video, të orientohen me hartë dhe kompas etj”, thotë Ahmeti.

Ky projekt është mundësuar me ndihmën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prishtinës, ndërsa do të realizohet nga OJQ “TOKA”, në bashkëpunim me Klubin Alpin Prishtina dhe “World Wide Fund for Nature”.