Akti patriotik i daljes
Marko Gjuriq thotë se dalja për të votuar është një akt patriotik. Ndërsa konsideron se shteti serb ka në funksion të gjithë mekanizmat për të ofruar një ambient të sigurt.

Lajme
Dalja e qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut më 17 nëntor nuk do të jetë vetëm një obligim qytetar por edhe një akt patriotik, thotë Marko Djuric, Këshilltari i Presidentit të Serbisë.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që qytetarëve t`u garantohet siguria për të votuar.
“Lirisht mund të them që dalja në këto zgjedhje nuk përbën vetëm obligim qytetar ndaj shtetit të Serbisë, por edhe një akt patriotik”.
“Më e rëndësishmja është që shteti ka bërë gjithçka që t’i parandalon individët të cilët ishin bartës të dhunës që ata të mos arrijnë në situata që sërish t’i frikësojnë dhe fyejnë qytetarët”.
Ai thotë se sa i përket detyrave të shtetit serb ata do ta kryejnë punën e tyre.
“Shteti i ka futur në funksion të gjithë mekanizmat për të ofruar një ambient të sigurt dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë bartësit kryesor të sigurisë të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë ndërsa sa i përket detyrave tona ne do ta kryejmë punën tonë”, ka thënë Djuric.