Aktakuzë për personin që fotografoi votën dhe e postoi në rrjetet sociale
Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktaguzë ndaj një personi, pasi që i njëjti kishte fotografuar votën.
Lajme
Prokuroria Themelore e Prizrenit, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.S., pasi që i njëjti dyshohet se në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Siç bën të ditur kjo prokurori, sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., me datë 06.10.2019 rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor “Xhavit Sylaj”, ka cenuar fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve dhe pas votimit, fletëvotimin përmes telefonit celular “iPhone XR” e ka fotografuar dhe pastaj e ka postuar në rrjetin social Facebook si dhe në portalin “Suhareka online”, transmeton lajmi.net.
Lexo edhe:
Ngritet aktakuzë ndaj Qamil Rexhepit, bleu votë për Vetëvendosjen ditën e zgjedhjeve
“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri F.S., ka përmbushur elementet e veprës penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Lajmi.net/