Aktakuzë për kontrabandë me drogë

EULEX thotë se i akuzuari pretendohet se është përgjegjës për planifikimin e trafikimit të disa dërgesave të heroinës nga Kosova për në Republikën Federale të Gjermanisë gjatë vitit 2012.

Lajme

18/09/2013 10:03

Një prokuror i EULEX’it dhe një vendor, nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), kanë ngritur një aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke e akuzuar një të pandehur për veprat e blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe substancave të rrezikshme psikotropike si dhe krim të organizuar.

EULEX thotë përmes një njoftimi se ai pretendohet se është përgjegjës për planifikimin e trafikimit të disa dërgesave të heroinës jashtë vendit nga Kosova për në Republikën Federale të Gjermanisë gjatë vitit 2012 në bashkëkryerje me shpërndarës dhe përdorues tjerë të cilët ndodheshin në të dyja vendet si pjesë e një grupi ndërkombëtar i cili i kishte sjellë të pandehurit fitime të mëdha.

Hetimet në Kosovë janë kryer nga një Ekip i përbashkët hetimor nga Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar e EULEX-it dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane. I pandehuri ndodhet në paraburgim prej arrestimit të tij në janar 2013.