Aktakuzë për grupin që shiste marihuanën e Shqipërisë në Serbi
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Astrit Goqi, Agron Krasniqi, Luan Krasniqi, Srgjan Llomigora dhe Halil Jonuzi, të cilët si grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e tre shteteve - Kosovë, Shqipëri dhe Serbi - kanë përfituar nga marihuana.

Lajme
Të pandehurit, duke vepruar në bashkëpunim si grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e tre shteteve – Kosovë, Shqipëri dhe Serbi – me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt financiar, pa autorizim kanë blerë, poseduar, shitur dhe transportuar substanca, të cilat janë shpallur të rrezikshme, të llojit marihuanë.
Prokuroria Speciale njoftoi se gjatë një periudhe kohore, së paku gjatë tërë vitit 2013, këta të pandehur kanë blerë marihuanë në Shqipëri, të cilën më pas e kanë transportuar në fshatin Xërxë të Rahovecit dhe e kanë mbajtur aty derisa kanë bërë organizimin e transportit të marihuanës për në Serbi.
“Me këtë të pandehurit Astrit Goqi, Agron Krasniqi, Luan Krasniqi, Srgjan Llomigora dhe Halil Jonuzi kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.