Aktakuzë ndaj zyrtarit të AKI-së, kërcënoi pronarin e portalit ‘IndeksOnline’
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të një departamenti të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Lajme
Valon Salihu akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për qëllime personale të drejtorit të AKI-së, Bashkim Smaka, kundër pronarit të portalit “IndeksOnline”, Faton Shoshi.
Në aktakuzën të cilën e posedon “Koha Ditore” thuhet se Salihu dyshohet se ka kërcënuar Shoshin pasi që ky e kishte publikuar një artikull në portalin e tij, i cili kishte të bënte me drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj.
“Gjatë muajit dhjetor të vitit 2013 (Valon Salihu v.j.) ka tejkaluar kompetencat e tij dhe autoritetin zyrtar në cilësi të personit zyrtar duke kërcënuar të dëmtuarin Faton Shoshi, drejtor i portalit ‘Indeksonline’, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari Faton e ka publikuar një artikull në portalin e tij, që kishte të bënte me drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj, i njëjti në vazhdimësi e ka përcjellë dhe kërcënuar të dëmtuarin Faton Shoshi”, thuhet në këtë aktakuzë.
AKI-ja të enjten ka reaguar edhe ndaj një teksti të “Kohës Ditore” për vrasjen e një bashkëpunëtori të AKI-së në Siri.
AKI-ja përmes një komunikate për media kishte akuzuar “Kohën Ditore” për pavërtetësi të lajmit.
Por gazeta në numrin e ri kishte publikuar detaje të reja që konfirmojnë atë që ka shkruar gazeta duke demantuar komunikatën e AKI-së.
Faton Shoshi i ka thënë gazetës se e mirëpret një aktakuzë të tillë.
Ai ka sqaruar se Salihu kishte shkuar në redaksinë e “Indeksonline” një ditë para kohës kur ishte planifikuar të botohej një artikull për lidhjet e njerëzve të afërt të Smakajt, siç i ka quajtur ai, me shumë të burgosur.
Ka thënë që Salihu iu kishte drejtuar me urdhër të preë se duhej të shkonte të takonte drejtorin Smakaj. “Urdhri ka qenë i prerë.
Në orën 14:00, atë ditë unë është dashur që të shkoja tek zyra e Bashkim Smakajt”, ka thënë Shoshi.
Në aktakuzë ndërkaq thuhet se Valon Salihu kishte shkuar për të marrë Shoshin nga redaksia me veturën zyrtare të AKI-së.
Për shkaqe sigurie Shoshi u kishte thënë dy gazetarëve të portalit që ta përcillnin me veturë.
“I njëjti me veturën e AKI-së të tipit ‘Pasat’, me targa 01-251-EN, e merr të dëmtuarin dhe niset në drejtim të lokaleve të AKI-së, por kur arrijnë te kazerma ‘Adem Jashari’ vëren se dy persona me veturë po e përcjellin dhe po e fotografojnë, atëherë e ndal veturën, zbret dhe personave në fjalë – gazetarëve të portalit ‘Indeksonline’ u merr telefonat, kamerën, dhe pastaj i dëmtuari Faton Shoshi arrin që t’ua marrë telefonat, ku në atë moment thotë se nuk do të shkojë me të”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Saliu me këtë rast dyshohet se e ka kërcënuar Shoshin. (Koha Ditore)