Akt civilizues në një datë të gabuar

Sali Berisha përshëndet mbledhjen e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë dhe e quan \"akt civilizues\". Por, s’është i kënaqur me datën. Thotë se takimi s'është dashur të ndodhë më 11 janar, meqë është ditë kur Enver Hoxha shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Lajme

11/01/2014 17:05

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka përshëndetur mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, që u mbajt sot në qytetin e Prizrenit.

Berisha përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, mbledhjen e sotme e ka quajtur akt civilizues.

“Të dashur miq, sot në një hotel të Prizrenit u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Mbledhje të këtij lloji janë një praktikë e civilizuar në disa rajone të Europës. Ndaj dhe ju ftoj të dashur miq të përshëndesim këtë akt, ndonëse modest në përmbajtjen e tij, dhe çdo akt tjetër të bashkëpunimit të gjithanshëm ndërshqiptar, si një interes jetik për shqiptarët dhe i dobishëm për bashkëpunimin në rajonin tone”.

“Takimi i parë apo mbledhja e përbashkët e dy Qeverive u mbajt në qytetin e Prizrenit, djepin e idealit kombëtar të shqiptarëve”.

Megjithatë, ish-kreut të Qeverisë Shqiptare, nuk i ka pëlqyer shumë që takimi është zhvilluar më datën 11 janar.

“Por, 11 janari është një datë që nuk ka asnjë lidhje me idealin e Prizrenit. Ajo është e dënuar edhe me ligje e në mënyrë të parevokueshme nga historia e kombit shqiptar.”

“Me 11 janar të vitit 1946, Enver Hoxha, Hitleri shqiptar i Pasluftës, shpalli Republikën Popullore (Orwelliane) të Shqipërisë që do faktohej si forma e regjimit më mizor të shtypjes, persekutimit, izolimit të shqiptarëve në tërë historinë e tyre”, ka shkruar Sali Berisha.