Aksioni i madh i policisë në Karaçevë, institucionet e rendit japin detaje të hollësishme

Mbrëmë në fshatin kufitar të komunës së Kamenicës, në Karaçevë është organizuar një aksion i madh i policisë së Kosovës në bashkëpunim me institucionet e rendit ku janë arrestuar 35 persona.

Lajme

19/09/2020 14:25

Aksioni i Policisë së Kosovës është organizuar pas dyshimeve se në atë fshat funksionojnë grupe kriminale të cilat merren me kontrabandë, lojëra të fatit e prostitucion, shkruan lajmi.net.

Institucionet e rendit në komunën e Gjilanit sot nëpërmjet një konference për media kanë dhënë detaje lidhur me aksionin e djeshëm.

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka njoftuar se ky aksion ka rezultuar pas 1 viti hetime ku janë arrestuar 35 persona, 12 prej të cilëve zyrtarë policorë të Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan pas një hetimi të gjatë gati 1 vjeçar gjatë mbrëmjes së djeshme siç e dini në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit është realizuar aksioni në këtë pjesë të Kosovës, konkretisht në Karaçevë si dhe në rajonin e Prishtinës dhe rajone tjera të Kosovës. Hetimi ka filluar për shkak të pretendimeve për aktivitete kriminale me elemente korruptive. Nga ky aksion me urdhër të prokurorisë deri më tani janë arrestuar 35 persona të dyshuar, prej tyre 12 zyrtarë policorë, kontrabandistë e pronarë të kazinove. Ndaj tyre, prokuroria e Gjilanit brenda afatit ligjor do të kërkojë procedurat. Gjatë aksionit janë rrënuar të gjitha kazinotë që kanë funksionuar në atë pjesë dhe janë konfiskuar prova materiale që dyshohet të jenë përdorur në aktivitetet e tyre kriminale. Operacioni do të vazhdojë edhe më tutje ku për zhvillime të mëtutjeshme do të jeni të informuar ju dhe opinioni mbarë”, thanë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Në anën tjetër, nga policia e Kosovës, rajoni i Gjilanit kanë treguar se në Karaçevë janë sekuestruar 220 aparate të lojërave të fatit, 6 shtëpiza kompjuteri, 1 armë me gaz, 1 karikator AK47 dhe prova të tjera materiale.

“Ajo që dua të prezantoj është një operacion policor të realizuar në bashkëpunim të ndërsjelltë dhe të ngushtë mes IPK-së, Policisë dhe prokurorisë. Operacioni ka pasur për qëllim luftimin e aktiviteteve kriminale siç janë prostitucioni, lojërat e fatit. Operacioni ka qenë tredimensional dhe i njëkohshëm. Fillimisht të ndalem tek zona e Karaçevës ku është ushtruar urdhër kontroll në 12 lokacione nëpër kazino. Janë arrestuar 7 persona fizikë të cilët pas intervistimit ka rezultuar se janë klientë të këtyre kazinove. Janë sekuestruar 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuteri, 1 karikator AK47, 1 kombi me kafshë të kontrabanduara. Ajo që është në interes të opinionit publik dhe të tuajin si media, të gjitha objektet atje janë rrënuar”, thanë nga policia e Kosovës në konferencë për media.

Në anën tjetër, nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë treguar se prej 12 zyrtarëve të arrestuar 9 janë të nacionalitetit shqiptar dhe 3 janë të nacionalitetit serbë.

Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimet se kanë qenë të përfshirë në mënyrë aktive në aktivitete kriminale.

“Dje është realizuar ky plan operativ i përbashkët pas hetimeve të gjata. Unë do të flas për pjesën e cila është në mandatin e IPK-së që është hetimi për policët. Në dyshime për veprimtari penale të policëve të Kosovës, dje janë 8 nacionalitet shqiptar dhe 3 nacionalitetit serbë. Sot është arrestuar edhe zyrtari policor i fundit. Të dyshuarit janë punonjës të drejtorisë rajonale kufitare të Lindjes, Muçivercë. Punonjësit janë suspenduar dhe janë ndaluar për 48 orë. Kontrabandim me mallra dhe organizim i skemave piramidale të bixhozit. Unë sot mund të konkludoj që puna e hetuesve të IPK-së është realizuar plotësisht. Dua t’i falënderoj qytetarët dhe organet për bashkëpunim. “, thanë nga IPK-ja. /Lajmi.net/