Aksion i IPK-së dhe Prokurorisë në Prizren: Arrestohen katër persona, mes tyre një kolonel policor

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka zhvilluar sot një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në qytetin e Prizrenit dhe arrestimin e katër personave të dyshuar. Sipas njoftimit zyrtar, ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është…

Lajme

04/08/2025 20:40

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka zhvilluar sot një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në qytetin e Prizrenit dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është realizuar me përkushtim nga hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel.

Ai dyshohet për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet në terren po vazhdojnë, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit të dyshuar si pjesë e procedurës administrative.

Prokuroria dhe IPK kanë theksuar se janë të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit, përfshirë edhe rastet kur të dyshuarit janë zyrtarë publikë.

Institucionet e zbatimit të ligjit kanë ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar sundimin e ligjit dhe integritetin institucional.