Aksion brenda një restoranti në Gjirin e Lalzit, arrestohen 7 persona të shumëkërkuar, mes tyre Xhevdet Plaku

Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë në Durrës, pas një aksioni brenda një restoranti në Gjirin e Lalzit. Mes personave të arrestuar është Xhevdet Plaku, i njohur si ‘Akili’, i cili po darkonte së bashku me 6 personat e tjerë. Nga operacioni “Enigma, u vunë në pranga 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 shtetas…

Lajme

23/05/2025 16:59

Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë në Durrës, pas një aksioni brenda një restoranti në Gjirin e Lalzit.

Mes personave të arrestuar është Xhevdet Plaku, i njohur si ‘Akili’, i cili po darkonte së bashku me 6 personat e tjerë.

Nga operacioni “Enigma, u vunë në pranga 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 shtetas me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të cilat këta shtetas i mbanin me vete, me fishekë në fole gati për qitje.

Më konkretisht, ditën e djeshme, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë siguruar informacione në rrugë operative, se disa shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishin në ambientet e një restoranti në gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin armë zjarri me vete.

Në kuadër të operacionit, në masa të larta sigurie, shërbimet policore ndërhynë në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit ku ndodheshin këta shtetas.

Nga verifikimet parakrake rezultoi se në një tavolinë ishin ulur 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht:

Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;

Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;

Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;

O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”

Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera.