Aksidenti, prodhuesi i helikopterëve ofron ndihmë për hetimet

Lajme

07/04/2016 16:24

 “Eurocopter”, kompania që ka prodhuar helikopterin e rrëzuar të mërkurën në Shqipëri, do të ofrojë ndihmë në hetimin e ngjarjes nëse kjo do t’i kërkohet nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes.

Lajmin e bën të ditur “Top Channel” duke iu referuar një deklarate të shefit të zyrës së shtypit të “Airbus Helicopter”, Guillaume Steuer.

“‘Airbus Helicopter’ është në dijeni të aksidentit tragjik të një helikopteri ‘H145’. ‘Airbus Helicopter’ është i pikëlluar thellë nga ky aksident dhe zyrtarët e kompanisë shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për familjet, miqtë dhe kolegët e atyre që humbën jetën. Kompania është e gatshme të mbështesë plotësisht autoritetet në hetimin e shkakut të aksidentit”, ka deklaruar Steuer.

Ndërkohë në vendin e aksidentit qëndrojnë forcat e policisë, të cilat e kanë rrethuar atë, si dhe një mjet lundrues po i Policisë së Shtetit. Ende nuk është bërë e ditur se kur do nxirret nga uji helikopteri i dëmtuar rëndë nga rrëzimi./tch