Aksidentet që gati ua morën jetën yjeve

Aktorët dhe aktoret vazhdimisht mundohen që të japin maksimumin në mënyrë që filmi i tyre të duket bukur, me ç’rast ekspozohen ndaj rreziqeve të ndryshme gjatë xhirimeve.

ShowBiz

14/09/2015 11:55

Jeta e aktorit Johnny Depp është varur në pe kur ka përjetuar aksident gjatë xhirimit të filmit “The Lone Ranger”. Gjatë xhirimit të njërës prej skenave, ku ai po kalëronte një kali, shala ishte çliruar dhe ai kishte rënë por disi kishte mbetur i varur dhe kali për 25 metra e ka tërhequr nëpër tokë.

Dhe kur kali ishte ndalur, ai ishte ngritur me dy këmbët e pasme duke shqelmuar dhe aktori për pak centimetra i ka shpëtuar goditjes në fytyrë. Edhe aktorja seksi Halle Berry mezi kishte mbetur gjallë kur gjatë xhirimit të filmit “The Call”, kishte përjetuar aksident të tmerrshëm.

Gjatë xhirimit të një skene, ajo ishte rrëzuar dhe me tërë forcën kishte goditur me kokë një bllok betoni, duke mbetur pa ndjenja dhe me gjakderdhje të madhe. Për fat të mirë, kishte shpëtuar me vetëm një prerje dhe tronditje të trurit.

Ylli i filmave aksion, Jason Statham, ka treguar se nuk është një tip i rrezikshëm vetëm në film, por edhe në jetën reale, kur ka përjetuar një aksident gjatë xhirimit të pjesës së fundit të filmit “The Expendables”.

Ai ishte duke vozitur një kamion kur i janë prishur frenat dhe ai kishte rënë nga një shkëmb dhe drejt në Detin e Zi, ku ai kishte mbetur në kabinë. Edhe pse ekipin e filmit e kishte kapur paniku, ai si një hero i vërtetë kishte mbetur me kokë të kthjellët dhe kishte arritur të dalë nga kamioni i cili po zhytej në ujë.

Një përjetim të tillë gjatë xhirimit të skenave filmike e kishin edhe aktorja, Isla Fischer, gjatë xhirimit të filmit “Now You See Me”, ku për pak ishte mbytur në ujë, pastaj John Abraham, i cili ishte qëlluar me armë të vërtetë nga kolegu i tij i filmit, Anil Kapoor, por për fat plumbi vetëm e kishte gërvishtur në qafë. Edhe bukuroshja Jaimie Alexander gjatë xhirimit të filmit “Dark World”, kishte rrëshqitur nga shkallët duke marrë lëndime të rënda./Zëri