AKR vazhdon transferet

AKR thotë se ia ka marrë LDD’së degën në Kodrën e Trimave. Ibrahim Makolli e Korab Sejdiu pritën të aderuarit e rinj. Por, LDD thotë se AKR “po e rren veten”.

Lajme

24/09/2013 14:04

Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit ka vazhduar transferet e aktivistëve të partive të tjera.

Të martën, ajo ka shënjestruar zyrtarët e një dege të LDD’së në Kodrën e Trimave. Një pjesë e Kryesisë së LDD’së në këtë lagje iu bashkua partisë së Behgjet Pacollit dhe premtuan se do të bëjnë fushatë në të mirë të kandidatit të kësaj partie për Kryetar të Prishtinës, Korab Sejdiu.

Të aderuarit u pritën në AKR nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ibrahim Makolli dhe vetë Korab Sejdiu.

“Sot AKR’së i janë bashkuar edhe udhëheqës të Degës së LDD’ së të ‘Kodrës së Trimave’ të cilëve u uroj mirëseardhje në emër të Presidentit të AKR’së dhe gjitha strukturave udhëheqëse të AKR’së”, ka thënë Makolli.

“Për ne është privilegj që një numër i qytetarëve tanë që kanë krijuar përvoja në jetën politike bashkërish po bëjmë ndryshime të mëdha për këtë vend”.

“AKR i ka dyert e hapura për ata që mendojnë se ne po vazhdojmë me vizion për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”.

Kryetari i derisotëm i Degës së LDD’së në “Kodrën e Trimave”, Argjend Hasani, ka thënë se do t’i bashkojnë forcat dhe do të fitojnë së bashku me AKR;në për të implementuar agjendat dhe strategjitë e partisë për një Kosovë të re.

Por, Lidhja Demokratike e Dardanisë ka përgënjeshtruar lajmin se një pjesë e Kryesisë së Degës në Kodrën e Trimave i është bashkuar AKR’së

“Argjend Hasani nuk është në LDD prej vitit 2010, pas zgjedhjeve të fundit nacionale. Ata 10 tjerët ne nuk e dimë kush janë, pasi as nuk jepen emrat e tyre”, ka thënë LDD nëpërmjet një reagimi.

“Nga Kryesia e Degës I ‘Kodra e Trimave’ nuk është larguar asnjë anëtar dhe ajo udhëhiqet nga Kryetarja Merzyqe Rudari e cila është kandidate në listën e koalicionit AAK-LDD për zgjedhjet lokale. Nëse AKR ka mbetur të krenohet me këso lajme të rreme, atëherë le ta rrejnë vetën”.