AKR nuk do zgjedhje pa reformë zgjedhore

Alenaca për Kosovën e Re nuk do zgjedhje në qershor. Sidomos jo pa e përfunduar reformën zgjedhore. Kryetarja e Grupit Parlamentar e AKR’së, Myzejene Selmani, thotë se as bashkësia ndërkombëtare s'pajtohet të shkohet në zgjedhje pa reformë.

Lajme

24/01/2014 07:20

Aleanca për Kosovën e Re e Behgjet Pacollit, pjesë e koalicionit qeveritar, nuk po i beson mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në qershor.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të AKR’së në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani, thotë për lajmi.net se s’ka asgjë të vërtetë për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në qershor.

“Absolutisht nuk është e vërtetë”.

“Pikë së pari duhet të kemi Ligjin, pra reformën zgjedhore, dhe pas hyrjes së Ligjit në Fuqi, pas 6 muajsh të mbahen zgjedhjet”.

“Dihet mjaft mirë se ne si koalicioni qeveritar dhe të gjitha partitë politike e kemi bërë një Komision Parlamentar, i cili ka punuar për çështjen e reformës zgjedhore. Ajo reformë duhet të ndodhë, sepse Komisioni Europian dhe bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të ketë një Ligj Zgjedhor ndryshe dhe të përballet me zgjedhje demokratike e fer”.

Burime të lajmi.net kanë treguar se partitë e koalicionit qeveritar nuk janë të interesuara të vazhdojnë qeverisjen deri në pjesën e dytë të vitit, për shkak se atyre u mungon shumica parlamentare.

Pas largimit të disa deputetëve, koalicioni për momentin ka vetëm 55 deputet, nga 61 sa janë të nevojshëm për të kaluar shumicën e vendimeve në Kuvendin e Kosovës.

Por, këto probleme mohohen nga Shefja e deputetëve të AKR’së.

“Nuk është problemi i mungesës së numrave, sepse numrat aktualisht janë, numra me të cilët mund të votohet çdo gjë, mirëpo probleme të tilla na kanë ndodhur edhe brenda koalicionit kur disa deputetë kanë udhëtuar, ose nuk kanë qenë brenda seancave”.

“Mirëpo, ne e themi, nuk shkohet në zgjedhje në qershor për arsye individuale të asnjërit subjekt”.

“Këto zgjedhje nuk i pranon as bashkësia ndërkombëtare, nëse ne dëshirojmë të shkojmë në zgjedhje në qershor”.