AKR kërkon të respektohet Kushtetuta
Aleanca Kosova e Re që në këto zgjedhje nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlament, ka analizuar ecurinë e procesit zgjedhore dhe zhvillimet e sotme.
Lajme
Përmes një komunikate për media, kjo parti ka kërkuar që sa më shpejt të certifikohen rezultatet zgjedhore dhe që institucionet të vazhdojnë të punojnë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën e vendit.
“Pas një procesi të rregullt dhe demokratik, AKR i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të vazhdojnë të punojnë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën dhe sa më shpejt të certifikojnë rezultatin, duke u kujdesur kështu që i tërë procesi të përmbyllet në formën më demokratike”.
AKR është e bindur se nuk është lexuar ende plotësisht fjala e sovranit. Sipas tyre, kanë mbetur ende pa u shqyrtuar mbi 30 mijë vota me kusht, votat e diasporës, votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat sipas tyre duhen konsideruar me kujdes.
“AKR vazhdon të besojë se duhen shqyrtuar me përgjegjësi edhe votat e pavlefshme që përfaqësojnë një përqindje të madhe. Vullneti popullit duhet lexuar drejt dhe ne do të ndërmarrim çdo hap ligjor që kjo të kryhet. Kosova nuk mund t’i lejojë vetes të injorojë vullnetin e afro 40 mijë votuesve, të cilët kanë dalë atë ditë për të votuar. Ka qenë një proces zgjedhor i komplikuar, një reformë zgjedhore e pakryer, e cila s’duhet të deformojë apo mos lexojë vullnetin e popullit”, thuhet në komunikatën e AKR.
AKR thotë se kur procesi të jetë certifikuar, atëherë ajo do të dalë me qëndrimin e vet përfundimtar.