AKR-ja në “hall” me ministritë që udhëheq

Që nga themelimi i qeverisë “Haradinaj”, AKR-ja e cila është pjesë e koalicionit qeverisës nuk ka arritur që të “rehatohet” me ministrat e saj.

Lajme

17/10/2018 09:04

Në qershorin e vitit të kaluar në zgjedhjet e jashtëzakonshme kishte dalë fitues koalicioni “PANA”.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re (PANA), para se të themelohej koalicioni qeverisës kishin nënshkruar një marrëveshje dhe i kishin ndarë ministritë secila parti, raporton lajmi.net.

Në bazë të kësaj marrëveshje AKR-së i takonin katër ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit.

Në dhjetor të vitit 2017, Ramush Haradinaj së bashku me kabinetin e tij qeveritar kishte dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton lajmi.net.

Në këtë ditë ishin bërë publike edhe emrat e ministrave të të gjitha partive të koalicionit.

Partia e Behgjet Pacollit, i kishte katër ministri, atë të Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme dhe të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Që nga kjo kohë ministritë e partisë së Pacollit pothuajse asnjëherë nuk u “rehatuan”, kjo për faktin se në vazhdimësi u ndërruan ministrat.

Përveç Ministrisë së Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga vetë Behgjet Pacolli, dy ministritë e tjera ajo e Punëve të Jashtme dhe e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor janë përballur me dorëëheqje të ministrave, shkruan lajmi.net.

Menjëherë pas katër muajve, saktësisht në muajin prill të këtij viti, kjo qeveri është përballur me dorëheqjen e parë të një ministri.

Ishte  ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nga radhët e AKR-së, i cili kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas depërtimit të shtetasve turq.

Pas dorëheqjes së Sefajt nga Ministria e Punëve të Brendshme, ekzekutivi i vendit u ballafaqua edhe me një dorëheqje tjetër.

Dorëheqja erdh pikërisht në Ministrinë që udhëheq AKR-ja. Bëhet fjalë për dorëheqjen e Albena Reshitajt e cila ishte ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila në muajin gusht të këtij viti kishte dhënë dorëheqje nga ky post për arsye personale.

Siç duket, AKR-ja assesi nuk arriti të gjej rehati në ministritë që udhëheq.

Pas dorëheqjes së Sefajt në vend të tij erdhi Bejtush Gashi, mirëpo pak muaj më pas ai u shkarkua nga ky post. Pas shkarkimit të tij nga ky pos, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli deklaroi se arsyeja e shkarkimit të tij ka të bëj për shkak të mosangazhimit të tij, e që sipas Pacollit Gashi është treguar shumë i urtë për postin që e mbante. Pas largimit të tij, AKR-ja emëroi një ministër tjetër në krye të MPB-së. Është Ekrem Mustafa ai që Pacolli e ka emëruar në krye të MPB-së, raporton lajmi.net.

Ndërkaq, që nga largimi i Albena Reshitajt, në postin e ministrit në detyrë ka qenë Fatmir Matoshi, e që emërimi i tij në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u bë pikërisht në ditën kur u emërua edhe Ekrem Mustafa, pra më 15 tetor të këtij viti.

Të vetmet ministri që udhëhiqen nga AKR-ja dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim që nga themelimi i qeverisë, është Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Behgjet Pacolli dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik që e drejton Valdrin Lluka.

Kujtojmë se për më shumë se një vit, AKR-ja ka nderuar dy ministra të Punëve të Brendshme dhe tani këtë ministri e udhëheq Ekrem Mustafa, pra ky është ministri i tretë që brenda kësaj periudhe kohore udhëheq këtë dikaster. /Lajmi.net/