AKP e dorëzoi ndërmarrjen Agrokosova tek ish blerësi, pret vendim meritor nga Gjykata

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar publikun se ka dorëzuar përkohësisht ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding” tek ish blerësi, duke e respektuar kështu vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për masë të përkohshme ndaj vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të kësaj ndërmarrje.

Lajme

02/06/2022 10:59

Sipas Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” Suharekë vendoset masa e sigurisë, ku Agjencia Kosovare e Privatizimit obligohet që Ndërmarrjen ta kthej te blerësi në gjendjen e mëparshme.

Edhe pse AKP më parë e ka bërë regjistrimin e të gjitha aseteve me komision pesë anëtarësh, me kërkesë të palës, për tri ditë me rradhë u bë regjistrim i sërishëm i të gjitha aseteve që kanë qenë te ndërmarrja e re “Agrokosova Holding dhe pas përfundimit të këtij procesi u bë pranim-dorëzimit i ndërmarrjes tek blerësi.

Si pjesë e pranim dorëzimit, AKP dorëzoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit për vendosjen e masës së sigurisë, Raportin e verifikimit dhe regjistrimit të aseteve, Raportin e Doganës për regjistrim të mallit, dokumentet e ndërmarrjes, vulën dhe certifikatën e regjistrimit të biznesit me dokumentet dhe informatat tjera përcjellëse.

AKP shpreson se Gjykata në afat sa më të shpejtë do ta trajtoj padinë e palës ndaj AKP-së dhe do të merr vendim meritor në interes të publikut dhe pronës shoqërore./Lajmi.net/